Murtezaj: Disa rrugë në Skenderaj vërshohen edhe nga reshjet e vogla të shiut

Vetura të përmbysura e të përmbytura, asfalt i çarë, lokale të demoluara dhe oborre të mbushura me ujë, ishin disa nga pamjet që përcollën komunën e Skenderajt më 19 janar, kur kjo zonë u përfshi nga vërshimet si pasojë e të reshurave të dendura të shiut.

Gazetarja hulumtuese e KALLXO.com, Xheneta Murtezaj, e cila për pesë vite me radhë raporton për qeverisjen lokale të Skenderajt, por jo vetëm, në emisionin “Kallxo Përnime” rrëfen se si komuna në të cilën ajo jeton u vërshua tërësisht.

Murtezaj shpjegon se datat 19 dhe 20 janar kanë qenë ditë të vështira për familjen e saj por edhe për qytetarët e Skenderjat, duke shtuar se fshatrat më të prekura ishin Tushila dhe Llausha.

“Një pjesë e familjarëve të mi të rrethit të gjerë, jetojnë në lagjen Murtezaj, rruga “Rasim Kiçina”, që janë të prekur në vazhdimësi prej reshjeve të shiut, sepse jetojnë në afërsi të lumit Klina, i cili rrjedh në qytet dhe vazhdon mandej në pjesë tjera të komunës. Kemi pasur rastin e 20 nëntorit të vitit të kaluar, që për shkak të reshjeve të cilat nuk kanë qenë të sasisë sikur të javës së kaluar, por të njëjtat kanë rrezikuar shtëpitë e tyre me u vërshu”- shpjegon Murtezaj.

Java e kaluar për lagjen Murtezaj gazetarja tregon se ishte mjaft e vështirë për banorët sepse të gjitha shtëpitë ishin demoluar dhe janë parë vetura të shumta që lundronin në ujë.

“Java e kaluar ka qenë mjaft e vështirë. Kemi parë që totalisht lagjja Murtezaj  është vërshuar, ka hyrë uji brenda, janë demoluar të gjitha shtëpitë, të gjitha pajisjet dhe kemi parë pamje tjera pasi kjo lagje është në afërsi të stadiumit, ku janë pa pamjet që mund të themi ishin trishtuese të veturave që lundronin në ujë”- shprehet Murtezaj.

Familja e gazetares Murtezaj të enjten e javës së kaluar mbeti e bllokuar për disa orë pasi kati përdhesë ku ishte edhe ashensori u vërshua nga uji.

“Mandej, në rrugën “17 Shkurti” ku jetojnë familja ime më e ngushtë, fatmirësisht jetojnë në një banesë por, edhe aty kanë mbetur për disa orë të bllokuar për shkak se uji e ka vërshuar pjesën tokësore të liftit. Ka ndodhë shumë shpejt”- thekson ajo.

“Kemi pasur pamje që na kanë ardhë brenda një minuti ka ndyshuar gjendja totalisht, prej një sasie e cila vërehej e tokave bujqësore, shtëpive e më pas për disa minuta e kemi parë tërësisht të mbuluar”- shton Murtezaj.

Gazetarja rikujton se edhe në të kaluarën kjo rrugë është vërshuar në vazhdimësi dhe sipas saj, problemi kryesor në këtë pjesë është kanalizimi.

“Rruga “17 shkurti” është rrugë e cila vërshohet vazhdimisht prej reshjeve, ku problem kryesor nuk është shtrati por, është kanalizimi që bllokohet menjëherë dhe nuk rrjedh uji askund. Në vazhdimësi kemi raportuar për këtë rrugë, e cila menjëherë vërshohet. Ka kanale por, nuk janë të mjaftueshme dhe bllokohen menjëherë”- shprehet Murtezaj.

Në lidhje me këtë rrugë, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka thënë se bllokimi i kanalizimit është për shkak të ndërtimeve të vrullshme.

Mirëpo, Nura i ka siguruar gazetares Murtezaj se problemi i rrugës “17 Shkurti” do të zgjidhet në pranverë.

“Rruga “17 Shkurti” që e përmendi Murtezaj e kam realizu sa kam qenë para këtij mandati, është kryer pjesa e shpronësimit dhe është realizu një projekt, mendoj një ndër veprat më të mira në qytet, por problemi është se ajo rrugë shtrihet në kuadër të konfiguracionit që ka qyteti i Skenderajt, derdhjet nga rrugët e tjera vijnë dhe shkarkohen në atë pjesë të rrugës. Bllokimi ka ndodhë për shkak se në atë pjesë ka një vrull të ndërtimeve”- u përgjigj Nura.

“E siguroj Xhenetën se në pranverë atë problem do ta zgjidhim. Është problem që po ndodh me reshje të vogla të shiut mbushet ajo pjesë e rrugës “17 Shkurti”, besoj në pranverë i japim zgjidhje”- theksoi ai.

Më 19 janar 2023, Skenderaj ka qenë në mesin e komunave që është prekur rëndë nga reshjet e shiut që shkaktuan vërshime në disa pjesë.

Për këtë arsye, Komuna e Skenderaj shpalli gjendje të jashtëzakonshme.

Një ditë më pas, pamjet nga Skenderaj shfaqnin vetura të përmbytura, asfalt të çarë, lokale të demoluara dhe oborre të mbushura me ujë.

Komuna ka krijuar 11 komisione komunale me nga 5 anëtarë të cilët do të dalin në terren menjëherë për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka deklaruar se reshjet e shiut me intensitet të ndryshuar pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri më 25 janar 2023.