Ilir Murtezaj - Foto: REL

Murtezaj: 170 mijë punëtorë kanë aplikuar për kompensim të pagës

Mbi 170 mijë punëtorë të kompanive të ndryshme private në Kosovë, kanë bërë kërkesë për kompensim të pagave bazuar në pakon emergjente fiskale.

Nga data 11 prill, kur ka filluar aplikimi për përfitime nga pakoja fiskale deri të premten në ATK, kërkesa për kompensim dhe subvencionim të qirasë kanë paraqitur mbi 40 mijë biznese.

Ilir Murtezaj, drejtor i përgjithshëm i ATK-se, tha se janë mbi 1500 punëtorë të cilëve iu janë shkëputur kontratat dhe për të cilët është kërkuar kompensim.

Ndërsa, mbi 11 mijë të tjerë të cilët kanë lidhur kontratë në muajin mars të këtij viti.

“Nga data 11 kur ka filluar aplikimi i bizneseve për të përfituar nga pakoja emergjente fiskale, deri të premten pasdite kanë aplikuar gjithsej 40,848 biznese. Ku në kuadër të tyre kemi 30,911 biznese që kanë aplikuar për kompensim të pagës, ndërsa kemi 7 mijë e 581 biznese të cilat kanë kërkuar kompensim të qirasë. Ato të cilat kanë kërkuar kompensim të pagës janë biznese të cilat sipas masës 3A, masës 7, 8 dhe 14 të cilat kanë kërkuar të përfitojnë janë të kategorisë A, B dhe C. 143 mijë e 668 punëtorë është për të cilët është kërkuar për masën A, për vlerë 170 euro, pra punëtorë aktivë të cilët bizneset për shkak të vështirësive financiare nuk kanë arritur t’i kompensojnë pagën e plotë”, tha Myrtezaj.

Ata të cilët kanë punuar në markete, farmaci e furra gjatë kësaj kohe kërkesa për shpërblim nga pako emergjente është për 15 mijë e 847 punëtorë.

“Pjesa e madhe e kategorisë “A” thuajse janë shqyrtuar, kanë mbetur disa kërkesa të cilat për një ose disa arsyeje kërkojnë një verifikim më të veçantë. Ndërsa, ato të cilat kanë pasur dhe ka qenë gjithçka në konform procedurave dhe kërkesave bazuar në pakon emergjente fiskale, ato vetëm se janë ekzekutuar. Edhe për të vetë punësuarit si listë e bizneseve të cilat kanë kërkuar kompensim, ajo si listë të premten pasdite është bërë verifikimi nga komisioni dhe është përcjellë për procedura të mëtutjeshme për ekzekutim”, shtoi ai.

Sipas tij, afati për parashtrim të kërkesës të përfshirjen në këtë pako emergjente, është deri më 15 maj.

Ndërsa, pas datës 15 maj nuk do të jenë valide kërkesat.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 13 mars, ka marrë vendim për mbylljen e bizneseve për shkak të frenimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Por, për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë, Qeveria e Kosovës, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179,6 milionë euro, e cila duhet të zbatohet nga ATK-ja.

Nga kjo vlerë 61 milionë euro janë ndarë për pagat e punëtorët në vlerë 170 respektivisht, 130 euro për dy muajt e ardhshëm, që kanë humbur punën për shkak të pandemisë, subvencionim të qirasë për 50 përqind dhe kontributeve pensionale. /21Media