Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Murtez Zekolli nga PDK premton rëntgen të avancuar në Suharekë 

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Suharekës Murtez Zekolli ka folur në #DebatPernime në lidhje me menaxhimin e pandemisë në këtë komunë.

Ai ka premtuar se në rast se vjen në krye të komunës së Suharekës do të sjellë një rëntgen në Qendrën e Mjekësisë Familjare.

“Dje kam vizituar Qendrën e Mjekësisë Familjare, respektivisht Sallën e rëntgenit dhe depon e barnave esenciale. Salla e rëntgenit është kthyer tash ditëve të fundit në punë për arsye se në kohë pandemie ka pasur shumë ankesa prej qytetarëve që edhe pse pandemia drejtpërdrejt i ka atakuar pacientët në mushkëri dhe nuk ka mujtë me e bë fotografinë e rëntgenit. Në mandatin tim të parë do të sjelli një rëntgen të avancuar”, tha ai.

Zekolli ka shtuar se është vaksinuar kundër COVID-19.

Sa i përket gjendjeve të tualeteve nëpër institucionet e Suharekës, kandidati i PDK-së, u zotua se nëse zgjidhet kryetar nuk do të lejojë situata të tilla, ku banjot e këtyre institucioneve do të jenë të papastëra.

“Gjatë mandatit tim nuk do të ketë situata të tilla për arsye se mjafton një buxhet i vogël, një përkujdesje dhe një vullnet për mos me qëndru njëjtë në atë gjendje sepse vërtetë na brengosë, edhe mu se deri tash kam qenë qytetar”, tha ai.

Sonte, kandidatët e partive politike, të cilat synojnë karrigen e të parit të Suharekës po diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Kandidatët për kryetar të komunës së Suharekës do të ballafaqohen me pyetje nga qytetarët e kësaj komune.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Ardian Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bali Muharremaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Murtez Zekolli nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Salih Zyba nga Lëvizja Vetëvendosje.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë 7 gra kandidate për asmbliste: Antoneta Berisha NISMA, Bulëza Kuçi LDK, Mihrije Suka AAK, Mimoza Bajraktari AAK, Pranvera Berisha Lista GUXO, Shqipe Ramaj LDK, Valmira Kryeziu VV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.