Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Murseli: Behgjet Pacolli, kandidati i AKR-së për president

Naim Murseli, këshilltar i kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se kandidati për president të Kosovës nga radhët e kësaj partie do të jetë Behgjet Pacolli.

Murseli ka thënë për KALLXO.com se Pacolli është kandidati i AKR-se dhe si koalicion me LDK-në janë të koordinuar.

“[Të koordinuar] Për çdo gjë që lidhet me koalicionin tonë”, tha ai për KALLXO.com.

AKR-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit do të garojë në një listë të përbashkët me atë të LDK-së.

Murseli ka shkruar paraprakisht në Facebook se Pacolli do të ofrojë veten dhe gjithë kapacitetin e tij për Kosovën.

“Kosovës në këtë kohë do ti duhet një President i fuqishëm, me miq të shumtë dhe me histori të pastër, një i pranuar edhe nga miqtë tanë të ndërkombëtar. AKR si parti e koalicionit me LDK-në do të jetë zgjidhja finale në çështjen e Presidentit”, ka shkruar ai.

Ndonëse Kosova do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 14 shkurt, deri më tani kandidaturën për president e kanë bërë publike edhe Ramush Haradinaj dhe Vjosa Osmani.