Murati: Vitin e ardhshëm do të fillojmë me dizajnimin e reformës pensionale

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu – Kodra, ka kërkuar sqarim nga ministri i Financave Hekuran Murati se a ka ndonjë plan për procedimin e ligjit për njohjen e përvojës së punës për punëtorët e administratës të larguar nga puna prej masave të dhunshme të Serbisë në vitet e 90-ta.

“Tash e sa vite punëtoret e administratës të larguar dhunshëm në vitet e 90-ta vazhdojnë të përballen me mosnjohjen e punës dhe të marrin vetëm pensionin e pleqërisë”, tha ajo.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati tha se si qeveri kanë planifikuar që vitin e ardhshëm të filloj një reformë pensionale e cila do të adresoj të gjitha kategoritë në mënyrë të përnjëhershme.

“Në të kaluarën, nga përvoja, ka pas ndërhyrje individuale, pra për skema individuale dhe pa e trajtuar si të tërësishme dhe kanë ndodh anomali të tilla si kjo dhe si tjera që shumë herë janë ngrit në këto seanca. Vitin e ardhshëm do të fillojmë me këtë reformë në mënyrë që secili pension të jetë pension i dinjitetshëm dhe në raport edhe me kontributin ndaj shoqërisë”, tha ai.