Foto: ZKM

Murati tregon detaje rreth faljes tatimore për vitin 2023 pas miratimit të ndryshimeve në qeveri

Qeveria e Kosovës në një mbledhje elektronike sot ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se projektligji parasheh që tatimpaguesit të mund të përfitojnë nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në shumë 100 euro, apo sa lartësia e faturës.

Murati ka thënë se projektligji gjithashtu parasheh edhe masa të tjera “që lehtësojnë barrën e qytetarëve, por edhe sigurojnë menaxhim më efikas të tatimit në pronë”.

Ministri ka përmendur lirimet tatimore për banimin primar dhe tokën bujqësore, kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor, zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024, dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025.

“Uroj që edhe Kuvendi i Republikës ta trajtojë sa më shpejt në të dyja leximet, në mënyrë që tatimpaguesit të përfitojnë nga zbritja tatimore”- ka theksuar Murati.

Kabineti qeveritar sot në mbledhjen elektronike ka miratuar edhe tri vendime tjera.

Qeveria miraton plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për tatim në pronë të paluajtshme, përfshihet edhe falja tatimore për vitin 2023