Murati thotë se Qeveria nuk e ka ende koeficientin e pagave: Është duke u llogaritur

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Qeveria nuk është duke e mbajtur sekret koeficientin e pagave, por sipas tij, ende është duke u llogaritur.

Në një konferencë për media, Murati edhe ka dhënë sqarimin se si do të llogaritet koeficienti.

“Çështja e koeficientit nuk është që po mbahet sekret, është duke u përllogaritur ashtu siç vijnë informatat nga organizatat buxhetore. Pra ajo listë që është në ligjin e pagave, duhet secila organizatë buxhetore të na tregojë se sa persona i ka në një pozitë të caktuar. Në momentin kur bëhet përmbledhja e të gjitha këtyre, tek atëherë mund të përpjestohet me shumën e ndarë në buxhet dhe mund të dihet vlera e koeficientit” – ka thënë Murati para gazetarëve.

Tutje, Murati ka thënë se synimi i Ligjit të pagave është harmonizimi i koeficientëve, ndërsa rritja e pagave sipas tij, do të përcaktohet nga Ligji i buxhetit, për çdo vit.

“Synimi i ligjit të pagave është harmonizimi i koeficentëve, ndërsa rritja e pagave përcaktohet në ligjin e buxhetit i cili përcaktohet nga ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë për rregullën fiskale për pagat ,që  e përcakton sa mund të jetë rritja e pagave brenda një viti fiskal. Ligji i pagave i përcakton koeficientët, tërësia e koeficentëve pastaj përpjestohet me shumën e buxhetuar për pagat në mënyrë që të gjendet koeficienti” – thënë ndër të tjera Murati.

Ai në këtë konferencë për media ka folur edhe për çështjen e tatimit në pronë, duke thënë se ministira e tij nuk ka rritur tatimin, por ka bërë një vlerësim real të pronave. Murati ka thënë se i takon komunave të vendosin për shkallën tatimore se sa duhet të jetë.

Vlera e koeficientit përmes të cilit caktohen pagat e zyrtarëve publikë ende nuk dihet zyrtarisht, ndonëse Ligji për paga është publikuar në Gazetën Zyrtare në fillim të janarit.

Disa ditë më parë Qeveria e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë të ditur se vlera monetare e koeficientit pritet të caktohet gjatë këtij muaji.

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”- tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit.

Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me moscaktimin e vlerës së koeficientit.