Murati thotë se Ministria e Financave nuk ka rritur tatimin në pronë: I takon komunave që të vendosin

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Qeveria nuk ka rritur tatimin në pronë, por ka bërë një vlerësim real të pronave.

Përmes një konference për media, ministri Murati tha se iu takon komunave që të vendosin për shkallën tatimore se sa duhet të jetë.

Duke folur në lidhje me ligjin aktual për tatimin në pronë, Murati deklaroi se ligji është që nga viti 2018 në fuqi.

“Sa i përket çështjes së tatimit në pronë si qeveri janë marrë dy vendime apo Udhëzime Administrative. E para për këshillin mbikëqyrës për licencim, për vlerësim të pronave të paluajtshme që është nënshkru nga ministri i Financave me 15 shtator 2021 dhe nuk ka të bejë fare me çeshtjen në fjalë të faturave të tatimit në pronë” – ka thënë Murati para gazetarëve.

E vendimi tjetër, sipas Muratit, është Udhëzimi Administrativ i miratuar me datën 1 nëntor 2021, që ka pasur të bëjë më pezullimin e shërbimeve komunale për tatimpaguesit në pronë, sipas tij, ka qenë për  të hequr obligimin që qytetarët të paguajnë tatim në pronë, në mënyrë që të iu lejohet për regjistrim të veturës.

“Ligji aktual për prona ishte miratuar nga qeveria Mustafa në 4 maj 2017,  por nuk ka kaluar në Kuvend, pasi qeveria kishte rënë një javë më vonë.  Më pastaj i njëjti ligj është procedu në Qeverinë Haradinaj dhe në 26 janar 2018 ka hy në fuqi. Ky ligj ka paraparë qe në vitin e pestë të hyjë në fuqi tatimimi 100%  i tokave. Më përpara nuk ka qenë tatimi i tokave, që nga vitit 2018 ka fillu me u tatu. Dhe viti i pestë është vitit 2023 ku aplikohet 100 përqind” – ka bërë të ditur Murati.

Ministri Murati ka bërë të ditur se ligji e obligon Ministrinë e Financave që të bëjë vlerësimin e pronave, ndërsa komunat i obligon që të caktojnë shkallën tatimore.

Ai ka thënë se me vlerësimin e ri që ka bërë Ministria e Financave, është një mundësi e mirë edhe për qytetarët, që të kenë një vlerësim real të pronës së tyre, si dhe edhe për komunat, sipas tij, pasi që krijon më shumë të hyra për to.

Murati ka thënë se disa komuna e kanë mirëpritur vlerësimin e ri të pronave, e vetëm tre prej tyre kanë kërkuar sqarime.

“Pas kësaj komunat e kanë pranu këtë raport në 31 tetor dhe kanë pasur kohë një muaj që të reagojnë dhe kanë reagu 3 komuna” – tha Murati.

Sipas tij, aktualisht është duke u punuar në një ligj të ri për pronat.

“Ideja me këtë ligj është që të ketë tatim progresim, edhe për shkak se kanë interval komunat aktualisht, tatimi është i shesht e kjo duhet të ndryshojë. Fillimisht duhet të rritet lirimi nga tatimi për pronën primare.  Ne si qeveri vec i kemi ndermarrë hapat e nevojshëm sepse kemi paraprë ndryshim të Ligjit dhe është në fazat finale ligji i ri” – ka thënë Murati.

Ditëve të fundit ka pasur shumë reagime nga qytetarët rreth ngritjes së çmimit të tatimit në pronë.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) përmes një reagimi ka thënë se komunat nuk e kanë rritur çmimin e tatimit në pronë.

AKK-ja ka thënë se komunat nuk e kanë rritur normën tatimore, por sipas tyre, është bërë rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar në çmimet e tregut.

“Pra, çmimi i faturës së tatimit në pronë llogaritet me shumëzimin e vlerës së pronës me normën tatimore. Kështu, me rritjen e çmimit të pronave, pa u rritur fare norma tatimore nga komunat, është rritur automatikisht vlera e faturës së tatimit në pronë” – thuhet në reagimin e AKK-së.