Murati thotë se Byroja e Sigurimeve po detyron mërgimtarët të paguajnë polica kufitare për të cilat ka paguar Qeveria
Ministri i Financave, Hekuran Murati, u ka bërë thirrje mërgimtarëve që vijnë në Kosovë, të mos paguajnë policat kufitare njëmujore për vetura deri në 9 pasagjerë, pasi që ato janë të paguara nga Qeveria.
Ai pretendon se punëtorë të papërgjegjshëm, siç i ka quajtur ai, të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) nuk janë duke informuar saktë që polica kufitare është e subvencionuar dhe sipas tij, po i detyrojnë mërgimtarët që të paguajnë për së dyti.
“Ftoj të gjithë ata bashkatdhetarë që janë ballafaquar me raste të tilla, ku u është kërkuar të paguajnë për policën kufitare e që do duhej ta merrnin falas, që rastet t’i raportojnë tek policia në numrin 192. Disa raste tashmë janë raportuar dhe kemi pasur edhe procedimin penal për punonjësit e BKS-së” – ka shkruar Murati në Facebook më 06.08.2024.
Ai ka ftuar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit që t’i trajtojnë me prioritet këto raste.
Në ndërkohë, ka kohë që shërbimi online për policat kufitare i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), nuk është duke funksionuar. KALLXO.com me datë 17.07.2024 ka kërkuar sqarime nga BKS për këtë problematikë, po deri më tash nuk ka pranuar përgjigje.
Gjithashtu, në lidhje me pretendimet e ministrit Murati, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Byronë e Sigurimeve, si dhe Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), si institucion mbikëqyrës i BKS-së.