Murati: Thesari është i gatshëm t'i lëshojë pagat, deri në orën 15:00 është dashur të dorëzohen listat

Ministri Hekuran Murati ka thënë se Ministria e Financave u ka dhënë mundësinë komunave që të dërgojnë listat e pagave me kushtin që orët e humbura të mësimit të zëvendësohen.

Ai ka thënë se në lidhje me këtë sot në orën 15:00 është dashur të dorëzohen të gjitha listat nga komunat.

“Ne si ministri kemi dhënë mundësinë edhe njëherë që organizatat buxhetore të rikonfirmojnë listat me kushtin që orët duhet të zëvendësohen. Në lidhje me këtë Thesari i ka marrë të gjitha veprimet dhe po besoj që deri sot në orën 15:00 është dashur të dorëzohen të gjitha listat” – ka thënë Murati.

Ai tutje ka thënë se komunat duhet të konfirmojnë listat në përputhje me ligjin.

“Komunat duhet të konfirmojnë listat që të jenë në përputhje me ligjin, nuk mund të dorëzojnë lista të kundërligjshme apo të mos dorëzojnë fare” – ka thënë ai.

Murati gjatë fjalimit të tij sot në seancën e Kuvendit tutje ka thënë se pas grevës janë shpërfaqur disa fakte lidhur me SBASHK-un.

Sipas tij SBASHK-u nuk i përfaqëson mësimdhënësit.

“SBASHK nuk i përfaqëson mësimdhënësit sepse kur ishte koha për ti detyruar për të hy në grevë morri vendim por nuk ju qëndroj prapa për kompensim përkundër faktit që për vite të tëra kanë mbledh miliona euro nga kuptimi i anëtarësisë, pesë vitet e fundit 3.2 milionë euro i kanë mbledhë SBASHK-u” -ka thënë ai.

Ministria e Financave sot ka paralajmëruar ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit, në formë të avansit, siç ka propozuar Ministria e Arsimit.

Në njoftimin e tyre thuhet se duke e marrë parasysh miratimin e kalendarit të ri mësimor nga MASHTI, që parashah zëvendësimin e orëve të muajit shtator, ka kërkuar nga Organizatat Buxhetore (Komunat), që të rikonfirmojnë listat e pagave.

“Organizatat Buxhetore (Komunat) duhet të vendosin nëse do të procedojnë pagat si paradhënie për orët e Shtatorit që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimor të miratuar nga MASHTI, përndryshe duhet të veprojnë sipas nenit 18 të Ligjit për Greva” – thuhet në njoftim.