Hekuran Murati, Mistri i Financave, Foto: Arta Sopi, KALLXO.com

Murati: Të hënën realizohen pagesat e shtesave për fëmijët dhe lehonat

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka bërë të ditur se të hënën do të realizohen pagesat për këto skemën e shtesave për fëmijë si dhe atë për lehonat.

Sipas tij, janë 164,388 fëmijë e 19,753 lehona që kanë pranuar shtesa që nga shtatori i vitit të kaluar e deri më sot.

“I patëm premtuar e po i paguajmë çdo muaj. Vetëm këtë muaj kemi 10,853 fëmijë që i janë shtuar skemës së shtesave për fëmijë e 1,992 gra skemës së shtesave për lehonat”, ka shkruar ai në Facebook.

Ministri ka paraljmëruar se në muajin gusht do të hapin aplikimin për shtesat për fëmijë edhe për një gjeneratë, për të gjithë fëmijët që kanë lindur në vitin 2013.

“Kështu do të vazhdojmë deri në përmbushjen e plotë të premtimit për të përfshirë të gjithë fëmijët e Republikës deri në moshën 16 vjeçare në skemën e shtesave për fëmijë”, thuhet në publikimin e Muratit.

Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se nënat e papuna do përfitojnë nga 170 euro për 6 muaj, kurse ato të punësuara do marrin nga 170 euro për 3 muaj. Kjo pagesë do të bëhet krahas kompensimit të rregullt të pushimit të lehonisë.

Ndërsa, fëmijët e lindur nga 1 janari i vitit 2020 do marrin 20 euro në muaj.