Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

Murati: Sot janë procesuar pensionet me rritje për kategoritë e dala nga lufta

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se sot, më 15.01.2025, janë procesuar pagesat për pensionet me rritje për kategoritë e dala nga lufta.

Ministri Murati ka thënë se të gjithë pensionmarrësit e kategorive të luftës kanë marrë pensionin me 20% rritje e disa prej kategorive, sipas tij, me rritje edhe më të lartë.

“E veçanta është se të gjithë pensionmarrësit e skemave të kategorive të luftës sot e kanë marrë pensionin me rritje prej 20%, e për disa prej kategorive siç janë familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së apo familjet e të vrarëve dhe të zhdukurve civilë rritja është edhe më e lartë.” – ka shkruar Murati në Facebook, më 15.01.2025.

Më 10.01.2025, Qeveria e Kosovës ka miratuar Vendimin për rritjen për 20% të pensioneve për kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ndau detaje se sa para do të marrin këto kategori. Murati tha se për familjet që kanë pasur një dëshmor, pensioni ka qenë 448 euro dhe do të rritet në 537 euro; për familjet që kanë dhënë dy dëshmorë, pensioni ka qenë 537 euro, derisa do të rritet në 806 euro; familjet me tre dëshmorë do të marrin 1,075 euro; familjet me katër dëshmorë kanë marrë 627 euro dhe pas rritjes do të marrin 1,344 euro, ndërsa familjet me më shumë se katër dëshmorë do të marrin 1,613 euro. Për kategoritë e invalidëve të luftës, pensioni ka qenë 448 euro, për invalidin me dëmtim trupor prej 80%, ndërsa pas rritjes do të bëhet 537 euro.

Në po të njëjtën ditë, Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK (OVL UÇK), Faton Klinaku kishte reaguar duke thënë se rritja e pensioneve për 20% për veteranët e UÇK-së do të jetë 34 euro.

Në postim ai kishte përmendur se si kjo Qeveri ka hequr nga paga minimale veteranët e UÇK-së dhe si rrjedhojë rritja për ta do të jetë vetëm 34 euro.

“Meqenëse ky pushtet i ka hequr veteranët e luftës së UÇK-së nga paga minimale në Kosovë (350€), nga 170€ sa i kanë marrë, do të thotë se me këtë ka pasur zbritje prej 180€. E tash, Vendimi prej 20% rritje në kohë fushate është 34€. Pra, në vend se veteranët t’i merrnin 350€, tash do t’i marrin 204€.” – ka shkruar ai në Facebook, më 10.01.2025.

Klinaku: Rritja për veteranët do të jetë 34 euro, nëse votuesi mashtrohet përsëri kjo është çështje e tij