Murati: Punëtorët e validuar të sektorit privat do t'i marrin 100 eurot këtë javë

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i ndarë 35 milionë euro për ekzekutimin e 100 eurove të premtuara për punëtorët e sektorit privat, ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se komisioni i ka validuar shumicën e përfituesve që i plotësojnë kriteret dhe se të njëjtit do t’i pranojnë 100 eurot gjatë kësaj jave në llogaritë e tyre.

“Për të punësuarit, periudha e aplikimit ka përfunduar javën që shkoi, dhe komisioni deri më tani ka validuar shumicën e përfituesve që plotësojnë kriteret. Tani kanë mbetur të përfundohen vetëm procedurat e nevojshme për ekzekutimin e pagesave, dhe përfituesit që janë validuar do t’i pranojnë paratë në llogaritë e tyre këtë javë”, ka shkruar Murati në Facebook.

Murati ka ripërsëritur se në mbledhjen e sotme janë ndarë paratë për ekzekutimin e pagesave për punëtorët e sektorit privat dhe për studentët.

“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë kemi ndarë 35 milionë euro buxhet, të cilat do të mundësojnë pagesën e mbështetjes së njëhershme prej 100 euro për të punësuarit e sektorit privat dhe për studentët”, shkroi Murati në rrjetin Facebook.

Kurse, për studentët ministri tha se aplikimi është ende i hapur, dhe sapo të përmbyllet ky hap do të procedohet pagesa edhe për ta.

Qeveria ndan mjetet për 100 eurot e premtuara për punëtorët e sektorit privat