Murati propozon që komunat t’ua falin 100 eurot e para secilit tatimpagues

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, teksa ka folur për çmimin e tatimit në pronë, ka deklaruar se u takon komunave dhe jo ministrisë që t’i njoftojë qytetarët për rënie të vlerës apo kostos tatimore.

Murati ka sugjeruar që komunat të shlyejnë 100 eurot e para për secilin tatimpagues për pronë sivjet.

“Unë sugjeroj që komunat t’i falin 100 eurot e para për secilin tatimpagues për pronë. Nëse ka tatim 200 euro, 100 eurot e para t’i falen. Ky është propozimi që e ka Ministria e Financave. Që do të reflektohet 90 mijë euro të vlerës në pronë. Le të paguajnë për pasurinë që e kanë mbi 90 mijë euro” – ka thënë Murati në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Kundër këtij propozimi të Muratit është shprehur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani.

“Më e rëndësishme do të ishte pezullim ndoshta deri në një datë. Të krijonim një komision parlamentar që do të gjente një zgjidhje bashkërisht edhe me komunat. Mendoj që ky propozimi për faljen e 100 eurove nuk është korrekt. Është mirë të dakordohemi, që të fillojmë ta rishikojmë ligjin, t’i përmirësojmë gabimet që janë bërë”- ka thënë Rrahmani.

Ditëve të fundit ka pasur shumë reagime nga qytetarët rreth ngritjes së çmimit të tatimit në pronë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur sot në lidhje me ligjin aktual për tatimin në pronë, për të cilin tha se është në fuqi që nga viti 2018 dhe është miratuar në Qeverinë e Isa Mustafës, ndërsa Kuvendi e ka aprovuar, kur Qeverinë e kishte marrë Ramush Haradinaj.

Murati tha se ligji obligon që në vitin e pestë të zbatimit, të hyjë në fuqi tatimi 100 për qind i tokave.

“Ligji aktual për prona ishte miratuar nga qeveria Mustafa më 4 maj 2017,  por nuk ka kaluar në Kuvend, pasi qeveria kishte rënë një javë më vonë.  Më pastaj i njëjti ligj është procedu në Qeverinë Haradinaj dhe më 26 janar 2018 ka hy në fuqi. Ky ligj ka paraparë që në vitin e pestë të hyjë në fuqi tatimimi 100%  i tokave. Viti 2023 është kur tatimi në toka aplikohet në vlerën 100 për qind, domethënë këtë e obligon ligji” – ka thënë Murati.