Murati: Prej këtij muaji skema e shtesave vlen edhe për fëmijët e lindur nga viti 2015

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar sot se ka marrë vendim që prej këtij muaji të zgjerohet skema e shtesave për fëmijë edhe për fëmijët e lindur nga viti 2015 e këtej.

Pra, sipas këtij vendimi, të gjitha nënat që kanë fëmijë të lindur nga data 1 janar 2015 e këtej, mund të aplikojnë për shtesa, të cilat do të fillojnë t’i marrin nga ky muaj.

Murati ka njoftuar se aplikimi për fëmijët 2015+ do të hapet prej ditës së nesërme.

Sipas tij, për të përfituar nga ky muaj e tutje, aplikimi duhet të bëhet më së largu deri me 24 tetor. Ndërkaq, njoftoi se aplikimet që bëhen pas datës 24 tetor, shqyrtohen në muajin pasues.

“Pas pilotimit me sukses të masës së shtesave për fëmijë, kemi vërejtur se në disa raste llogaria bankare ka qenë e vendosur gabim. Andaj që të parandalojmë gabime të tilla, marrë parasysh edhe vëllimin e shtuar të aplikimeve që pritet të rezultojë me zgjerimin e programit për gjeneratën 2015+, e kemi parë të nevojshme që në formularin e aplikimit të shtojmë edhe funksionin e validimit të llogarive bankare në kohë reale. Këtë e kemi bërë në bashkëpunim me ASHI dhe BQK”, thuhet në njoftimin e Muratit në rrjetin social “Facebook”.

Gjithashtu kanë theksuar se tani e tutje, që të pranohet aplikimi, duhet të siguroheni se llogaria është në emrin e nënës.

Aplikimi fillimisht është hapur për fëmijët e lindur nga 1 janari 2020.

Fëmijët nën moshën 16 vjeçare, do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 10 euro në muaj. Secili fëmijë nën moshën 2 vjeçare do të përfitoj nga 20 euro në muaj.

Aplikimin mund ta bëni përmes kësaj vegëz.