Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

Murati përjashton shkeljet e pretenduara ligjore: Rritja e pagave u procedua përmes Ligjit për Buxhetin

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se nuk ka shkelje të ligjit me ndryshimin e koeficientit për rritjen e pagave për zyrtarët publikë.

Rritja e pagave, sipas tij, është bërë përmes ndryshimit ligjor, përkatësisht përmes Ligjit për ndarjet buxhetore i cili miratohet në Kuvend.

“Dje [29.10.2024] nuk ka pas vendim të Qeverisë. Qeveria ka vendos sot, përmes miratimit të buxhetit, ngjashëm sikur vitin e kaluar kur është rritur koeficienti nga 105 në 110. Pra, para se të vinte për miratim në mbledhje të Qeverisë ka qenë një vendim paraprak që është dashur ta shkruaj dikush se sa do të jetë. Ngjashëm është bërë edhe kësaj radhe”- tha ai në konferencë për media më 30.10.2024.

Murati tha se pas miratimit në Kuvendin e Kosovës fillon zbatimi i rritjes së pagave.

“Nuk ka të bëjë me paligjshmëri”- tha ai.

Qeveria e Kosovës, më 30.10.2024, ka miratuar Ligjin për Buxhetin për vitin 2025 me vlerë prej 3.6 miliardë euro, përderisa një ditë më herët, ka njoftuar se pagat për punëtorët e sektorit publik në Kosovë do të ngriten vitin e ardhshëm.

Kryeministri Kurti përmes një konference për media të mbajtur më 29.10.2024, njoftoi se një pjesë e rritjes së pagave do të bëhet nga janari, e pjesa e dytë e rritjes nga korriku i vitit 2025.

“Të gjithë të punësuarve në sektorin publik, pagat do t’u rriten për 55 euro nga janari, dhe për 55 euro tjera nga muaji korrik i vitit të ardhshëm”- u shpreh ai, duke bërë të ditur se rritja e përgjithshme e pagave brenda vitit 2025 do të jetë gjithësej 110 euro bruto.
Ai kishte thënë se vlera e koeficientit do të mbetet e njëjtë, por do të rritet njësia e koeficientit.

Opozita e ka kritikuar këtë veprim të Kurtit, ndërkohë që ka pasur reagime edhe nga sindikatat e punëtorëve.

Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin 2025, me vlerë 3.6 miliardë euro