Foto: KALLXO.com

Murati përgjigjet para deputetëve në Komision për Ligjin e pagave

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere është duke e shqyrtuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e vitin 2023, ku është përcaktuar edhe vlera monetare e koeficientit mbi të cilën llogariten pagat e mbi 80 mijë punëtorëve të sektorit publik.

Para deputetëve në Komision, këtë projektligj e ka propozuar ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Ky projektligj mundëson kompletimin e Ligjit të pagave. Ky ndryshim-plotësim përmban vlerën e një koeficienti që ka vlerë 105 euro” – tha Murati.

“Fatmirësisht gjatë vitit 2022 kemi pasur rritje pozitive ekonomike dhe është inkorporu në buxhetin e kostos për pagat. Ne kemi paraparë që për vitin 2024 te rritet koeficienti ne 110 euro.Ky është neni kryesor që parasheh shtimin e vlerës së koeficientit. Me nenin 5 dhe 6 është paraprë fleksibiliteti që Ministrisë së Financave ti jepet mundësia të bëj transferim nga një organizatë buxhetore në tjetrën” – deklaroi Hekuran Murati para deputetëve të Komisionit.

Deputeti i LVV-së, Armend Muja, ka pyetur ministrin se sa pritet të jetë paga mesatare bruto për vitin 2023 me koeficientin e paraparë prej 105 eurove.

Ministri Murati tha se paga mesatare bruto për vitin 2022 ka qenë 620 euro dhe tani pritet të jetë 730 euro bruto.

“Dhe si përqindje është më e lartë sepse numri ka shku duke u zvogëluar” – është përgjigjur Murati.

Nga partia opozitare PDK, i pranishëm sot në Komision ishte deputeti Mergim Lushtaku ndërsa Pal Lekaj nga AAK dhe Avdullah Hoti nga LDK nuk janë të pranishëm në këtë mbledhje.

Më 1 shkurt 2022, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është bërë prezantimi i vlerës monetare të koeficientit. Vlera e tij për vitin 2023 do të jetë 105 euro ndërsa në vitin 2023 sipas Qeverisë së Kosovës do të jetë 110 euro. Ndaj vlerës së koeficientit ka pasur pakënaqësi nga sektorë të ndryshëm.

Ligji për paga në sektorin publik më 22 dhjetor 2022 është miratuar në Kuvendin e Kosovës me shumicë të votave. Më 5 janar 2023 është dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani dhe i njëjti pritet të hyjë në fuqi më 5 shkurt 2023.