Foto: ZKM

Murati për opozitën pas kundërshtimit të faljes deri 100 euro nga fatura e tatimit: E kanë hallin e biznesmenëve

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se me propozimin e tij që tatimpaguesëve t’u falen deri në 100 euro nga fatura e tatimit në pronë, 85% e tatimpaguesëve nuk do paguanin asgjë për vitin 2023.

Derisa, 10% do të paguanin më pak se 100 euro, sipas tij, vetëm top 5% (që përfshihen edhe bizneset) do paguanin më tepër se 100 euro për vitin 2023.

Sipas ministrit Murati, opozita po e kundërshton këtë propozim dhe kërkon që të kthehet vlerësimi i vjetër.

Murati potencoi se kjo kërkesë e opozitës vjen pasi janë qindra tregtarë që me vlerësimin që po kërkon opozita, do paguanin mijëra euro më pak, sidomos bizneset ndërtimore që mbajnë shumë banesa pa shitur.

Ministri theksoi se ata që kanë hallin e biznesmenëve e ndërtimtarëve, e mbështesin propozimin e opozitës që të mos u lehtësohet barra 95%-shit, por të mbrohen ndërtimtarët e tregtarët. 

Ditë më parë qytetarët u ankuan per faturat e larta të tatimit në pronë. Nga Ministria e Financave ka njoftuar se ata kanë bërë ri-vlerësim të pronave duke u bazuar në të dhënat e tregut.

Rritja e vlerës së pronës ka ndikuar direkt në rritje të faturës për tatim. Derisa norma tatimore ka mbetur e njëjta.

Ministri Murati gjatë një konference për media më 27 janar bëri të ditur se si Qeveri shumë shpejt do ta dërgojnë ligjin në Kuvend. 

Sipas tij, në ligjin e ri do të përfshijnë edhe dispozitën e faljes së faturës së tatimit deri në 100 euro për vitin 2023, si dhe do të rrisin fleksibilitetin e komunave dhe do të bëjnë tatimin progresiv për vitin 2024 e tutje, ashtu që, ata që kanë më pak të paguajnë më pak, ndërsa ata që kanë më shumë, të paguajnë më shumë.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) përmes një reagimi ka thënë se komunat nuk e kanë rritur çmimin e tatimit në pronë.

AKK-ja ka thënë se komunat nuk e kanë rritur normën tatimore, por sipas tyre, është bërë rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar në çmimet e tregut.

Qeveria premton tatim progresiv për pronat