Murati: Opozita po kërkon llogari për gjëra që ata nuk i bënë për 20 vite

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, në seancën e jashtëzakonshme për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj Serbisë tha se është mirë që opozita ka filluar të kërkojë llogari për punën e Qeverisë.

Ai komentoi edhe pankartat e vendosura nga deputetët e AAK-së në sallë.

”Këtu afër janë sloganet edhe po më vjen mirë që opozita ka fillu më kërku llogari për Qeverinë se edhe ashtu duhet të jetë puna. Çka është hipokrizi këtu është se kjo opozitë po kërkon llogari ende pa i bë 1 muaj punë për diçka që s’ka mujt vetë për 20 vite me bë, megjithëse kanë qenë në pushtet”, tha Murati.

“Nuk bën me u keqpërdor çështja e të pagjeturve për çështjet politike”, shtoi ai.

Seanca e jashtëzakonshme është thirrur me kërkesë të 41 deputetëve të opozitës.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar se më 15 mars do ta heqë tarifën ndaj lëndës së parë nga Bosnja dhe Serbia.

Tarifa ndaj mallrave serbe u vendos në nëntor 2018 nga ish-Qeveria Haradinaj.

Ky i fundit ka bërë thirrje disa herë që tarifa të mos hiqet deri në njohjen e Kosovës shtet nga Serbia.