Murati: Opozita po gjenë arsye të kota për mosvotim të marrëveshjes ndërkombëtare

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës arsyetoi projektligjin për Marrëveshjen bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për mbështetje shëndetësore, porse akuzoi partitë opozitare për tentativën për të gjetur arsye për mosvotimin e tij.

“Njëra prej arsyeve që u përmend ishte rritja e borxhit publik, e që në fakt s’ka të bëjë me këtë marrëveshje. S’kemi të bëjmë me borxh por me mbështetje financiare, pra me grand nga Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut, dhe arsyeja pse kjo duhet të ratifikohet është obligim i bashkëfinancimit që merr përsipër shteti i Kosovës”, tha ministri.

Sipas tij, argumenti që po rritet borxhi publik, është vetëm pretekst për t’mos votuar marrëveshjen.

Sa i përket shumave totale, parashihet që kontributi financiar i Qeverisë së Dukës së Madhe së Luksemburgut nga 6 milionë euro të rritet në 9.7, me këtë ndryshim-plotësim.

Bedri Hamza, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës tha se po kërkojnë sqarime për çka do të përdoren këto mjete, në të kundërtën ai tha se nuk do japin përkrahje.

“Për marrëveshjen aktuale po kërkojmë sqarime për çka do të përdoret, qysh do të përdoret dhe nëse kërkohen këto sqarime prej deputetëve, unë besoj që është e drejtë edhe është korrekte dhe nuk është shumë me i dhënë këto sqarime”, tha Hamza.