Murati: Nga 600 euro për 2 mijë maturantë që ndjekin kurse të teknologjisë informative

Në bazë të një Memorandumi të Bashkëpunimit mes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Arsimit, maturantëve të shkollave të mesme do t’iu ndahen 2 mijë kuponë me vlerë deri në 600 euro për të ndjekur kurse të Teknologjisë Informative.

Kriter kryesor për përfitim nga kjo masë do të jetë suksesi i lartë i nxënësit i treguar përgjatë studimeve.

Pas nënshkrimit të memorandumit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati deklaroi se mësimin do e përshtasin me tregun e punës.

Sipas tij, kjo do bëhet e mundur me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy ministrive që u mundëson të rinjëve të marrin aftësi në tregun e punës.

Murati theksoi se me anë të kësaj marrëveshje tentojnë të shtyjnë të rinjtë që të orientohen drejt botës digjitale si treg në rritje.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të ministrit Hekuran Murati:

Mësimin do t’ia përshtasim tregut të punës
Sot, bashkë me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit e cila mundëson të rinjtë tanë të marrin aftësi të reja që do t’u duhen për tregun e punës.
Përmes këtij bashkëpunimi, do të mbështesim 2 mijë maturantë me kuponë që mbulojnë shpenzimet për ndjekjen e kurseve në fushën e teknologjisë informative dhe nxënien e aftësive dixhitale. Mbështetja do të jetë deri në 600 euro për secilin përfitues, dhe do të shtrihet në të gjitha shkollat e vendit.
Përmes kësaj mbështetjeje synojmë të nxisim të rinjtë tanë që të orientohen drejt botës dixhitale, ku tregu i punës ka nevojë të jashtëzakonshme.
Programimi, zhvillimi i web dhe apps, rrjetat kompjuterike, databazat, dizajni, marketingu online, rrjetet sociale, etj., janë disa nga fushat që do të mbështeten.
Përfituesit do të mund të zgjedhin kursin që u intereson ta ndjekin, dhe ne do të mbulojmë:
– 200 euro shpenzime të ndërlidhura
– 300 euro rimbursim për koston e kursit, dhe
– 100 euro shpërblim me rastin e kompletimit me sukses të kursit.
Kemi thënë se do ta lidhim mësimin me tregun e punës, dhe, ne si Ministri e Punës bashkë me Ministrinë e Arsimit sot bëmë hapin e parë.