Foto:KALLXO.com

Murati: Në rishikimin e buxhetit përfshihet edhe sektori privat

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se edhe sektori privat është përfshirë në rishikimin e buxhetit.

Murati në një konferëncë për media pas mbledhjes së Qeverisë tha që presin që të ketë rritje më të madhe të buxhetit se sa që ishte projektuar në fillim.

“Kemi përfunduar me rishikim që te shpenzimet buxheti është paraparë të jetë 2 miliardë e 516 milionë euro, ndërsa të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro. Këto ishin projektuar në fillim të vitit për vitin 2023 por synimi jonë është të arrihet këtë vit. Presim rritje më të madhe ekonomike se që ishte projektuar në fillim, një rritje prej 7.9 për qind apo rritja më e lartë që ka parë vendi vitet e fundit” tha Murati në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Ndërsa lidhur me kërkesën që pe ka bërë Partia Demokratike e Kosovës që të ndahen 200 milionë euro për bizneset, Murati ka thënë se të tilla deklarata kanë qenë premtime elektorale në tentim për të bindur votuesit.

“Sa i përket atyre që kanë thënë subjektet tjera., e kanë pasur rastin ta vërtetojnë më 14 shkurt në zgjedhje, kanë qenë premtime elektorale që as ata vetë nuk e kanë besuar, por ka qenë tentativë e tyre nëse mund ta bindim ndonjë qytetar pse të mos e provojmë”, ka shtuar Murati.

 Tutje ka shtuar se shuma që do të ndahet për këtë sektor do të bëhet publike në vijim. Por sipas tij, shtesës 155 milionë euro që janë të hyra shtesë, shumica e tyre do shtohet në pakon e rimëkëmbjes dhe projekteve infrastrukturore.

Ndërsa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se kanë marrë disa vendime të rëndësishme sikur miratimin e projektligjit për tregtinë me naftë dhe produkte të naftës në Kosovë. 

Gjithashtu, Hajdari ka thënë se miratimi i projektligjit për tregti të jashtme  është i rëndësisë së madhe. 

Hajdari ka përmendur edhe Udhëzimi Administrativ për ligjin e naftës. Ajo tha se është draftuar në mënyrë të jashtëligjshme nga ish-ministri Vesel Krasniqi. 

“Markimi dhe monitorimi i tregut të naftës në Kosovë nuk ka qenë e as nuk është me Ligj i paraparë.  Prokuroria dhe policia po bënë hetime për këtë udhëzim administrativ” ka thënë Hajdari në konferencë për media. 

Hajdari tha se rreth dy muaj është njoftuar Policia.