Murati: Me nismën për Trustin po synohet shkatërrimi i sistemit pensional

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, është deklaruar rreth çështjes së tërheqjes së mjeteve nga Trusti sot në Kuvendin e Kosovës.

Murati ka thënë se me këtë nismë po synohet shkatërrimi i sistemit pensional.

“Jemi përsëri për të njëjtën temë që tashmë ka marrë përgjigje nga kuvendit, kur ishte nismë legjislative ka marrë përgjigje negative ajo që duhet të ishte. Me këtë nismë, po synohet shkatërrimi i sistemit pensional, të merren 30% e pastaj prapë 30% e kështu dhe të shkatërrohet si sistem. Gjeneratat aktuale që kanë kontribu duhet me vazhdu me kontribu për gjeneratat e tjera”- u shpreh ai.

Murati ka thënë se kjo nismë nuk ka të bëjë me interesa të qytetarëve, teksa ka akuzuar opozitën se po bëjnë popullizëm.

“S’ka të bëjë me interesa të qytetarëve, por ju nuk i merrni parasysh ato. Në rastin konkret kemi të bëjmë me populizëm, si të kishte opozitë të përgjegjshme, normalisht nga ju nuk pritet një gjë të tillë”- shtoi Murati.

Një kundërpërgjigje për këtë deklaratë e pati deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

“Sinqerisht me ndi një ministër tu thanë se na po e shkatërrojmë sistemin, i cili tërë jetën e vet ka shkatrru, ka thy,  është gogja interesant”- ka thënë Shala.

Ministri Murati, tutje tha se është e pavërtetë që nisma për Trustin është nisma e parë e qytetarëve që ka shkuar në Kuvendin e Kosovës.

“U tha një e pavërtetë se ky na qenka nisma e parë ligjore që vjen si nismë e qytetarëve. Një tjetër nismë ka qenë për homologimin e automjeteve dhe kur ka ardhur më 2021, opozita e ka votuar kundër. Do të thotë për të mirën e qytetarëve dhe ju e keni votuar kundër”- tha ai.

Projektligji për Trustin është dërguar në Kuvend më 15 korrik 2022, si nismë legjislative pas mbledhjes së më shumë se 20 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës.

Fillimisht projektligji për Trustin ka dalë në votim në muajin qershor, por është refuzuar nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. Edhe institucionet financiare ndërkombëtare vazhdimisht e kanë kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së mjeteve të trustit.

Gjatë vitit 2020, Qeveria Hoti kishte vendosur që t’u lejojë qytetarëve që të nxjerrin 10% të shumës së tyre të grumbulluar në Fondin Pensional.

Kjo nismë u shoqërua me telashe dhe stërzgjatje në votimin e ligjit, probleme teknike më pas dhe çështje tjera. Atë vit, qytetarët e Kosovës tërhoqën nga kursimet e tyre pensionale mbi 198 milionë euro.