Murati: Ligji që u miratua më 2018 nga Qeveria Mustafa obligon tatimimin 100% të tokave

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur në lidhje me ligjin aktual për tatimin në pronë, për të cilin tha se është në fuqi që nga viti 2018 dhe është miratuar në Qeverinë e Isa Mustafës, ndërsa Kuvendi e ka aprovuar, kur Qeverinë e kishte marrë Ramush Haradinaj.

Murati tha se ligji obligon që në vitin e pestë të zbatimit, të hyjë në fuqi tatimi 100 për qind i tokave.

“Ligji aktual për prona ishte miratuar nga qeveria Mustafa më 4 maj 2017,  por nuk ka kaluar në Kuvend, pasi qeveria kishte rënë një javë më vonë.  Më pastaj i njëjti ligj është procedu në Qeverinë Haradinaj dhe më 26 janar 2018 ka hy në fuqi. Ky ligj ka paraparë që në vitin e pestë të hyjë në fuqi tatimimi 100%  i tokave. Viti 2023 është kur tatimi në toka aplikohet në vlerën 100 për qind, domethënë këtë e obligon ligji” – ka thënë Murati.

Sipas tij, pjesa më e madhe e rritjes së faturave shkon nga ky tatim.

“Ky ligj i ka caktuar disa afate dhe disa kushte që i obligojnë institucionet të respektohen. Prej hyrjes në fuqi kanë filluar të tatimohen edhe tokat sepse njëherë kanë qenë vetëm ndërtesat. Ky ligj e ka përcaktuar qysh në vitin 2018 se tokat duhet të tatimohen dhe pjesa më e madhe e rritjes së faturave shkon nga ky tatim” – ka thanë Murati.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Qeveria nuk ka rritur tatimin në pronë, por ka bërë një vlerësim real të pronave.

Përmes një konference për media, ministri Murati tha se iu takon komunave që të vendosin për shkallën tatimore se sa duhet të jetë.

“Sa i përket çështjes së tatimit në pronë si qeveri janë marrë dy vendime apo Udhëzime Administrative. E para për këshillin mbikëqyrës për licencim, për vlerësim të pronave të paluajtshme që është nënshkru nga ministri i Financave më 15 shtator 2021 dhe nuk ka të bejë fare me çeshtjen në fjalë të faturave të tatimit në pronë” – ka thënë Murati para gazetarëve.

Ai ka thënë se me vlerësimin e ri që ka bërë Ministria e Financave, është një mundësi e mirë edhe për qytetarët, që të kenë një vlerësim real të pronës së tyre, si dhe edhe për komunat, sipas tij, pasi që krijon më shumë të hyra për to.

Murati ka thënë se disa komuna e kanë mirëpritur vlerësimin e ri të pronave, e vetëm tre prej tyre kanë kërkuar sqarime.

“Pas kësaj komunat e kanë pranu këtë raport më 31 tetor dhe kanë pasur kohë një muaj që të reagojnë dhe kanë reagu 3 komuna” – tha Murati.

Sipas tij, aktualisht është duke u punuar në një ligj të ri për pronat.

Ditëve të fundit ka pasur shumë reagime nga qytetarët rreth ngritjes së çmimit të tatimit në pronë.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) përmes një reagimi ka thënë se komunat nuk e kanë rritur çmimin e tatimit në pronë.

AKK-ja ka thënë se komunat nuk e kanë rritur normën tatimore, por sipas tyre, është bërë rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar në çmimet e tregut.