Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Murati krahason buxhetin për shëndetësinë prej vitit 2018 deri më 2022

Ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati, gjatë seancës ka kërkuar fjalën për të sqaruar çështjen e buxhetit për shëndetësinë dhe ka krahasuar buxhetin për këtë fushë prej vitit 2018 deri më 2022.

Murati tha se në vitin 2022 buxheti është 186 milionë euro dhe që në muajin e parë u aprovua shtesë prej 5.6 milionë euro.

“Nëse shohim buxhetin në vitin 2018, për dy institucione, për dy organizata buxhetore, që është Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK, më 2018 sipas raportit financiar ka qenë 143 milionë euro kur ka qenë në qeverisje PAN-i. Në vitin 2019 ka qenë 150 milionë euro buxheti. Në vitin 2020 kur kemi marrë fillimisht ne Qeverinë, buxheti ka qenë 176 milionë euro. Në vitin 2021 nga koalicioni tjetër megjithëse ishim ende në pandemi ka qenë 175 milionë euro, megjithëse parashihej të bliheshin vaksina është planifikuar buxhet 1 milion më pak. Në vitin 2022 buxheti është 186 milionë euro dhe që në muajin e parë aprovuam shtesë prej 5.6 milionë euro, d.m.th. aktualisht buxheti është 192 milionë euro dhe do të rritet për aq sa ka nevojë”, ka thënë Murati.

Ai ka thënë që ky buxhet do të shkojë mbi 200 milionë.

“Megjithatë ka kontigjenca këtu. Kontigjenca i bie që Qeveria ndan mjete veçmas që t’i shfrytezojë sipas nevojës. Nëse ka nevojë për vaksina i orientojmë, për barna esenciale ose shpenzime tjera. Por si Qeveri mund ta krahasoni me secilin vit paraprak qoftë pandemik, qoftë jopandemik dhe mund ta shihni qe ka rritje të vazhdueshme dhe do të ketë në vitet në vijim”, ka shtuar Murati.

Kuvendi mbajti sot seancë të jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës – debat parlamentar për gjendjen me pandeminë COVID-19.

Gjashtë qytetarë kanë vdekur nga COVID-19 ndërsa janë regjistruar 3 mijë e 917 raste të reja me këtë virus në 24 orët e fundit në Kosovë.