Murati intervistohet nga Komisioni Hetimor për menaxhimin e krizës energjetike - LIVE

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës është duke intervistuar Hekuran Muratin, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka drejtuar pyetje ndaj ministrit Murati duke kërkuar sqarime për ndarjen e subvencionit të zotuar për krizën energjetike.

Sipas Shalës mjetet shtesë të zotuara që ju kanë ndarë KESCO-s për subvencionim, janë vonuar.

Ministri Murati tha se edhe në raportimin e kaluar në komision ka thënë se nuk ka pasur vonesa por se është dashur gjetja e metodologjisë.

“Shteti i del zot çdo zotimi që e ka. Çka kam thënë atëherë është se na nevojitet gjetja e metodologjisë. Përmbushja e zotimit ka afat deri më 31 mars. Çdo zotim do të përmbushet që e ka dhënë qeveria”- u shpreh ai.

Murati në komisionin hetimor për energjinë ka thënë se deri tani kanë alokuar 60 milionë euro nga subvencionim për energjinë ndërkaq sipas tij 90 milionë euro ka qenë premtimi.