Murati i kundërpërgjigjet LDK-së që dërguan ligjin për masat e produkteve esenciale në Gjykatën Kushtetuese

Ministri i Financave, Hekuran Murati është deklaruar në lidhje me dorëzimin e kërkesës për vlerësim të ligjit për masat e produkteve esenciale në Gjykatën Kushtetuese, të cilin e ka bërë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Murati ka thënë që vetëm dikush që ka interesa të përbashkëta me supermarkete e dërgon një ligj të tillë për vlerësim në Gjykatë Kushtetuese.

“Ne e kemi kaluar një ligj për çmimet tavan të cilin ju nuk e votuat dhe madje e keni dërgu në Gjykatë Kushtetuese. Tash vetëm dikush hipokrit dhe që mund të ketë interesa të përbashkëta me supermarkete e qon një ligj të tillë në Gjykatën Kushtetuese”- ka thënë Murati.

“Përndryshe kot qaheni këtu se si qytetarëve u është vështirësuar jeta, kurse në anën tjetër tentoni të bllokoni çdo tentativë për ta lehtësuar jetën e qytetarëve”- shtoi ministri.

Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka lutur presidenten Vjosa Osmani që mos ta nënshkruajë Projektligjin për masat e përkohshme për produktet esenciale i cili cakton çmimin tavan për produktet themelore në rastet e destabilizimit të tregut.

Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa dje kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese këtë Projektligj, duke pretenduar se ka shkelje kushtetuese.

Pasi dorëzuan atë, para Gjykatës Kushtetuese, Selmanaj tha se vlerësimi i LDK-së është që në tërësinë e vet ky Projektligj është antikushtetues.

Me 8 nëntor 2022, Projektligji ka kaluar edhe në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.

LDK e çon në Kushtetuese Projektligjin për masat e përkohshme për produktet esenciale