Murati: Hapet rruga që zyrtarisht të rritet paga minimale

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se me hyrjen në fuqi të Ligjit për pagën minimale, “përfundimisht hapet rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale”.

Murati ka thënë se një gjë e tillë po ndodhë pas më shumë se një dekade. 

“Një ndryshim tjetër me rëndësi, dhe njëkohësisht edhe përmbushje e njërit nga premtimet tona, është që paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi”- ka shkruar Murati në Facebook.

Ai shtoi se me ndryshimin e shkallëve tatimore, vlera e pagës që lirohet nga tatimi rritet në 250 euro nga 80 sa ishte më parë.

“Me fjalë tjera, të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin publik apo privat, do të paguajnë më pak tatim për shkak se rritet vlera e pagës që lirohet nga tatimi”- shtoi ai.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), njoftoi se me datën 23.08.2024 në Gazetën Zyrtare është publikuar Ligji Nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore i cili zbatohet nga po ajo datë.

Sipas ATK-së, në neni 5 të këtij ligji ndryshohen shkallët e tatimit në të ardhura.“Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 08/L-142, me nenin 5 ndryshohen shkallët tatimore të cilat janë të përcaktuara në nenin 6 të Ligjit Nr. 05/L-028 për Tatim në të Ardhurat Personale.” – thuhet në njoftimin e ATK-së.

Me këtë ndryshim, dhe në neni 6 për shkallët e tatimit, tatimi në të ardhura personale vjetore, ngarkohet sipas shkallëve në vijim:

Për të ardhurat e tatueshme deri në tremijë euro (3.000 €), duke përfshirë edhe shumën tremijë euro (3.000 €), zero për qind tatim (0%);

Për të ardhurat e tatueshme mbi tremijë euro (3.000 €), deri në pesëmijë e katërqind (5.400 €), duke përfshirë edhe shumën pesëmijë e katërqind (5,400 €), tetë për qind (8%) të shumës mbi tremijë euro (3.000 €); dhe

Për të ardhurat e tatueshme mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €), njëqind e nëntëdhjetë e dy euro (192 €) plus dhjetë për qind (10%) të shumës mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €).

Kuvendi i Kosovës më 14.07.2024, miratoi Ligjin për pagën minimale me 60 vota, një abstenim dhe asnjë votë kundër.

Ligji parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, ose 250 euro neto.