Murati flet për ndalimin e kriptovalutave: Po kursejmë xhepin e qytetarit

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se qëllimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, është për të kursyer xhepin e qytetarëve.

Në një konferencë për media të Doganës së Kosovës, në të cilën mori pjesë edhe ministri Murati, ai tha se vendimi është nga Komiteti për Energji, që sipas tij, është i duhur duke e marrë parasysh krizën energjetike.

“Çdo kilovat që konsumohet përtej asaj që prodhohet, importohet me çmime enorme. Importi ka pasur një rast që ka shkuar në 500 euro për megavat në orë, e që i bjen 50 centë për kilovat në orë, që domethënë 50 centë duhet me pagu importin, kurse konsumatori e në këtë rast mihja për kriptovalutë, e paguan 7 centë”, tha Murati para gazetarëve.

Tutje, Murati tha se si shtet, Kosova ka vendosur që të subvencionojë një pjesë të importit të rrymës, për arsyen sipas tij, që qytetarët të kenë më pak pengesë në furnizimin me energji elektrike.

“Por do të ishte e padrejtë që ne si shtet të subvencionojmë fitimin e dikujt, në kurriz të qytetarëve. Prandaj, ka qenë e nevojshme që të kufizojmë përkohësisht prodhimin e kriptovalutave, që të kursejmë xhepin e qytetarit”, tha ai.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të anulojë veprimtarinë e prodhimit të kriptovalutave për shkak të gjendjes emergjente të energjisë në të cilën është vendi ynë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, më 4 janar ka njoftuar se vendimi është marrë pas rekomandimit të Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.