Murati: Financat publike po kthehen në binarë

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se financat publike në Kosovë kanë filluar të kthehen në binarë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Murati ka thënë se përkundër krizave globale si pandemia e inflacioni, Kosova sipas tij, vitin 2021 e ka mbyllur me deficit buxhetor prej vetëm 104 milionë euro.

Sipas Muratit, kjo paraqet një përmisim enorm krahasuar me deficitin e vitin 2020, që ishte 513 milionë euro.

“Gjithashtu, kemi stabilizuar borxhin publik, e madje kemi shënuar edhe rënie për sa i përket nivelit të borxhit në raport me Bruto Prodhimin e Brendshëm, sepse ekonomia është rritur me ritëm më të shpejtë sesa që është rritur niveli i borxhit”, ka shkruar Murati.

Ai ka paraqitur edhe një figurë, ku thotë se tregon ecurinë e borxhit publik që ishte projektuar para se të merrte pushtetin Vetëvendosja.

“Linja e gjelbër tregon një projeksion krejtësisht tjetër të borxhit publik, vetëm pas një viti qeverisje. Dallimi është qnidra milionë euro më pak borxhe”, ka shkruar ministri i Financave, Hekuran Murati.