
FOTO: Hekuran Murati në Komisionin Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere. FOTO: KALLXO.com
Murati: Falja e 100 eurove për tatimin në pronë do u zvogëlonte qytetarëve barrën buxhetore
Ministri i Ministrisë së Financave, Hekuran Murati ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Temë diskutimi ka qenë edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për tatimin në pronë.
Gjatë raportimit, kreu i Ministrisë së Financave tha se ky projektligji do ta lehtësonte barrën e qytetarëve.
Ai theksoi se ideja ka qenë për zbritjen e 100 eurove të para që të lehtësohet barra e qytetarëve.
“Kurse për vitin 2024 janë paraparë disa ndryshime pasi që shuma e zbritur nga vlera e tatimit në ligjin aktual është 15 mijë euro, gjersa në ndryshimin e ligjit të ri do të jetë 30 mijë euro, për vitin 2025 këto zbritje vlejnë dhe shkalla tatimore kthehet në progresive bazuar në vlerën e pronës që ka një pronar”, ka thënë ministri.
Mirëpo, raportimi i Muratit u përcoll me kritika nga deputetët Avdullah Hoti dhe Pal Lekaj, të cilët kritikuan ministrin duke thënë se e ka sjellë në kuvend këtë projektligj pa respektuar afatet kohore dhe pa diskutim publik.
Deputetët tutje thanë se për shkak të vendimit të ministrisë për faljen deri në 100 euro nga fatura e tatimit, të hyrat e komunave do të bien.
Deputeti Avdullah Hoti tha se ky ligj është shumë i rëndësishëm dhe nuk duhet të kalojë pa diskutim publik.
Ai tutje shtoi se projektligji është përgatitur dhe sjellë në kuvend pa kaluar në çdo fazë të diskutimit publik nga qytetarët, komunat dhe akterë tjerë që ndikohen nga ky ligj.
“Ky është një ligj shumë i rëndësishëm për të kaluar në diskutim publik. Në janar të vitit 2023 qytetarët i kanë marrë dyfish më të larta faturat”, tha ai.
Hoti shtoi se nuk janë bërë përgatitjet e nevojshme për t’i bërë këto vlerësime të pronave dhe se ka pasur disa anomali që disa lagje në Prishtinë janë tatimuar më pak se disa në Fushë Kosovë.
Ndaj kësaj ministri Murati u përgjigj duke thënë se edhe pas faljeve tatimore të hyrat e komunave do të vazhdojnë të jenë të larta.
Mirëpo, përplasjet mes ministrit Murati dhe deputetit Hotit vazhduan.
Hoti iu kundërpërgjigj Muratit duke i thënë atij se nuk e ka idenë se çfarë po bën.
“Ti ke ardhur me duar në xhepa. Nuk e ke idenë sa është ndikimi i të hyrave komunale nga ky ligj. Të lus me qenë korrekt gjatë bisedës. Nuk mundesh m`i kap shifrat e mia dhe me ndërtu konspiracione” – u shpreh Hoti.
Në këtë mbledhje u miratuan në parim dhe u përcjellën për në seancë “Shqyrtimi në parim i Projektligjit nr.08/L-219 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-054 për Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-172” dhe pika: “Shqyrtimi në parim I Projektligjit nr 08/L-224 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme”.
Ministri Murati: Falja e 100 eurove për tatimin në pronë do u zvogëlonte qytetarëve barrën buxhetore
Kurse, pika për Shqyrtimin e raportit me amendamente i komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport për Projektligjin nr.08/L-153 për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme u vendos që të shtyhet deri sa të ketë një vlerësim të përditësuar të ndikimit buxhetor.