Murati: Borxhi i pesë viteve të fundit jo i qëndrueshëm

Në tryezën e cila po mbahet nga BIRN Kosova në partneritet me 10 organizata jo-qeveritare të Ballkanit në të cilën po diskutohet për borxhin publik dhe kapacitetin e institucioneve për t’i menaxhuar kreditë.

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati tha se në pesë vitet e fundit borxhi i jashtëm ka pasur rritje 80 milionë euro, ndërsa e borxhi i brendshëm 500 milionë euro.

Sipas Muratit, ky borxh nuk është i qëndrueshëm.

“Nëse shohim, kemi pas në vazhdimësi rritje të shpenzimeve rrjedhëse, të cilat është vështirë me u zvogëlu dhe rritje të investimeve kapitale. U tha që borxhi publik është diku 1.2 miliard euro, mesatarja është 120 milionë euro në vit, që është dashtë me u financu prej borxhit publik. Nuk është me thënë që me u rritë borxhi publik, Kosova ka nevojë për investime por për projekte të vogla që gjeneron punësim. Në pesë vitet e fundit në borxhin e jashtëm kemi rritje 80 milionë euro neto kurse te borxhi i brendshëm 500 milionë euro, ky borxh nuk është i qëndrueshëm. Me u siguru që projektet që financohen gjenerojnë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”, tha Murati.

Zëvendës Guvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, tha se duhet të merren anët pozitive e jo borxhi të merr konotacion negativ në çdo diskutim.

“Borxhi merr konotacion negativ në çdo diskutim por duhet t’i marrim anët pozitive që lidhen me financimin e investimeve kapitale. Borxhi publik duhet të shihet si element pozitiv për financimin e investimeve afatgjate. Normat e interesit janë relativisht të ulëta. Mund të konstatojmë që 10 vitet e ardhshme do të jenë të vlefshme për financim të investimeve kapitale përmes borxhit publik. Në pikëpamjen e BQK-së, borxhi publik është në nivel të mirë”, tha ai.

Qerkin Morina nga Zyra Kombëtare e Auditimit, tha se Qeveria e Kosovës hyn në borxh pa qenë gati që të ekzekutoj projektet.

“390 milionë kredi të ratifikuara që nuk janë tërheqë, sepse organizatat buxhetore nuk kanë qenë gati. Gjatë vitit janë paguar 19 milionë euro kamata. Borxhi si total, sipas tremujorit të tretë është 17.4%, për këtë vit ende nuk kemi kry ndonjë auditim. Përkundër rekomandimeve tona që të ndërpritet praktika që me hy në obligime para se me qenë gati, po shihet që kjo shumë është rritur për 100 milionë, dhe kjo ka shkuar në 490 milionë euro. Nuk ka përmirësim, qeveria hyn në borxh pa qenë gati për ekzekutim të projekteve”, tha Morina.

Profesori Bedri Peci, i cili ligjëron financat, të drejtën financiare dhe disa lëndë të tjera në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, tha se parlamenti luan rol më të rëndësishëm sa i përket financimit publik.

“Më i rëndësishëm është Parlamenti sa i përket financimit publik se sa qeveria. Tek ne Parlamenti ka pas rol fiktiv dhe jo funksion qysh është dashur të jetë. Parlamenti i Kosovës ka rol të pakufizuar por nuk e ka shfrytëzuar. Roli i Parlamentit duhet me u rrit sa i përket menaxhimit të parasë publike. Qeveria e harxhon paranë publike por Parlamenti e kontrollon këtë. Intensiteti i rritjes së borxhit publik është i madh”, tha ai.

Borxhi publik i Kosovës, qëndron mirë krahas me shtetet e rajonit. Në katër vitet e fundit është dyfishuar ndërsa është rritur edhe borxhi i jashtëm dhe i brendshëm.

Kështu u tha në tryezën e BIRN Kosova në partneritet me 10 organizata jo-qeveritare të Ballkanit në të cilën do të diskutohet për borxhin publik dhe kapacitetin e institucioneve për t’i menaxhuar kreditë.

Ahmet Ismaili, drejtor i Thesarit në Ministrinë e Financave, tha se borxhi publik është i rregulluar mirë sa i përket legjislacionit.

“Kosova ndër vendet e rralla që e ka të rregulluar hyrjen në borxhin ndërkombëtar për shkak se duhet të ratifikohet me 2/3 e votave. Nga 2009 e tutje është rritur në mënyrë graduale, duke e ruajtur stabilitetin e vendit. Borxhi publik përbëhet nga borxhi i jashtëm dhe i brendshëm, borxhi i brendshëm janë letrat me vlerë, nga 6 muaj deri në 10 vjet maturim, letrat me vlerë kanë qenë një histori suksesi. Borxhi ndërkombëtar ka filluar nga viti 2009 dhe përbën 33 përqind të protolit të përgjithshëm. Sipas të dhënave të fundit borxhi publik ka arritur në 1 miliard 208 milionë euro. Norma e interesit është 2.14 për qind, koha mesatare për kthimin e borxhit është 5.2 vjet. 11% e borxhit është valutë jo euro. Nga kreditë e ratifikuara i dedikohen infrastrukturës, energjisë, ujit, mjedisit, bujqësisë e arsimit, etj. Prinë energjia e ripërtritshme dhe infrastruktura”, tha Ismaili.

Ai shtoi edhe se cila është sfida kryesore në këtë rast.

“Sfida kryesore, niveli i shfrytëzimit të këtyre mjeteve, ka qenë i ulët, shpeshherë i papranueshëm. Ne kemi filluar të raportojnë në Qeveri për shkaqet se pse nuk po ekzekutohen këto investime kapitale edhe pse mjetet janë të aplikuara në mënyrë që organizatat buxhetore të përballen në qeveri dhe t’i tregojnë këto shkaqe. Sfidat kanë të bëjnë me kuadro profesionale, procedurat e prokurimit, shpronësimet, procesin buxhetor. Dy tre vitet e fundit ka përmirësim. Nga të dhënat e fundit janë 480 milionë euro është vlera e kredive të aprovuara por nuk janë shfrytëzuar ende për arsye të ndryshme. Dy marrëveshje janë që po presin në Kuvend, njëra për kadastrin dhe tjetra për fuqizimin e sektorit financiar apo fondi për fuqizimin e kredive”, tha ai tutje.

Drejtori i Thesarit: Borxhi publik i Kosovës nuk është më keq nga rajoni

.