Murati: Ata që për një dekadë e lanë pagën minimale 130-170 euro, sot e dërguan ligjin në Kushtetuese

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pasi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka dërguar Ligjin për pagën minimale për shqyrtim të kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese.

Murati ka thënë se ata që për më shumë se një dekadë e lanë pagën minimale në 170 euro, sot e dërguan Ligjin për pagën minimale në Kushtetuese.

“80,985 persona paguhen më pak se 264 euro në muaj. Janë punëtorët e mirëmbajtjes, sigurimit fizik, arkëtarë, ndërtimtarë e shumë të tjerë që me padurim presin rritjen e pagës minimale”- ka thënë Murati.

“Por, ata që për më shumë se një dekadë e lanë pagën minimale në 130/170 euro, sot e paskan dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Pagën Minimale, për ta kundërshtuar rritjen që ka propozuar Qeveria Kurti”- shton Murati.

Më tej, ai është shprehur se opozita po tenton të bllokojë këtë ligj me çdo kusht.

“Pra lëre që ata vetë nuk e rritën pagën minimale sa ishin në pushtet, por tash kur ne e rritëm, po tentojnë që me çdo kusht ta bllokojnë. Pse vallë kanë kaq shumë urrejtje?”- ka theksuar ministri.

AAK sot ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për pagën minimale.

Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të AAK-së tha se i janë drejtuar Kushtetueses për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.

“I kemi adresuar tri çështje kryesore, e para Këshilli Ekonomik Social nuk është konsultuar asnjëherë për pagën minimale, tregon për një shkelje flagrante të Qeverisë së Kosovës. E dyta është diskriminimi i palëve të cenueshme, të verbërve, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, e të cilët nuk janë përfshirë dhe janë larguar. Ky është një diskriminim dhe shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut. Dhe e treta lidhet me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rast ky që është eklatant e jo vetëm që është shkelje por lidhet drejtpërdrejt që kjo kategori i përfaqëson” – shtoi Tahiri.

Ai shton se ligji i pagës minimale nuk do ketë efekt në terren pasi që në sektorin privat nuk ka pagë nën 260 euro.

Ligji i pagës minimale u miratua javën e kaluar nga Kuvendi i Kosovës, në të cilën 60 deputetë votuan pro, një abstenim dhe asnjë votë kundër.