Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Murat Mehmeti: Millan Radoiçiqit i ka pengu urdhër-arresti me u bë kryetar në veri

Ish-hetuesi i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Murat Mehmeti, tha se urdhër-arresti i lëshuar ndaj Millan Radoiçiqit i ka penguar këtij të fundit që të kandidonte për kryetar të njërës nga komunat në veri të vendit.

“Dikujt i ka konvenu në Prishtinë me u dekonspiru Gjykata Speciale. Së pari në popull mu dekonspiru si gjykatë që është e ndikuar prej Beogradit dhe dikujt i ka konvenu kjo situatë që me bo një kryengritje apo një revoltim. Millan Radoiçiqit i konvenon në shkëmbim ndoshta edhe mund të jetë gabim, por për Millanin ka qenë pengesë fletarrestimi sepse Millanin do ta kishim kryetar komune në veri. Millan Radoiçiqi ka pasë synime me u bo kryetar në veri por i ka pengu urdhër-arresti”, tha Mehmeti në debatin “Kallxo Pernime”.

Në anën tjetër, kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, tha se në vrasjen e Oliver Ivanoviqit provat janë zhdukur nga disa eprorë të Policisë në veri të vendit.

“Një prej elementeve kryesore me zbulu një vepër penale është skema e krimit, vendi ku ka ndodhur ngjarja. Aty kemi pasur policë që janë përfshi që kanë zhduk prova që nuk dihet ku me i çu supozohet që kanë pasë me i çu në Beograd për analiza në policinë paralele të MUP. Aty dyshohet që ka pasë ndërhyrje të policisë, Zhelko Bojiq është i kërkuar në këtë rast si i dyshuar, nuk mundemi me folë për hetim profesional në ditët e para kur shefi i operativës në polici është duke u lypur për këtë rast për zhdukje të provave dhe kjo është shqetësuese”, tha Gashi.

 

Ish- prokurori special Sylë Hoxha, i cili hetoi rastin e vrasjes së Ivanoviqit, tha edhe se janë zgjeruar hetimet edhe për ish-eprorin e Policisë në veri Zhelko Bojiq, tashmë i kërkuar edhe ai.

“Janë zgjeru hetimet edhe për Bojiqin sa kam punu unë. E keqja e madhe le të dijë edhe opinioni, edhe Bojiqi, krejt gradimet janë bërë nga Policia e Kosovës. Ata kanë qenë të graduar, por ata është dashtë me ditë me kënd kanë punë. Unë i respektoj komunitetet por ai duhet të respektojë ligjet dhe rregullat e Kosovës sepse është polic i Kosovës, sepse një polic e kemi rasti ku nga vendi i ngjarjes ku u vra Ivanoviqi ka dhënë informacione në Serbi”, tha Hoxha.

Ai shtoi se nuk ka arritur që të zbulojë se në çfarë mënyrë ka ikur Millan Radoiçiq.

Gashi tha tutje edhe se ikja e Millan Radoiçiqit pak minuta para se të ndërhynte Policia mund të ishte shkak i rrjedhjes së informacioneve.

“Nuk ka shpjegim pse Millan Radoiçiq ka ikur prej shtëpisë së vet dhe është largu pak minuta para se me hy Policia atje. Dyshohet se ka rrjedh informacioni por nuk e dimë nëse ka pasë rrjet që e ka pasë policinë se qysh po lëviz apo ka pasur rrjedhje të informacionit dhe e ka thirrë dikush prej lart e i ka thënë: Ik se po vijnë Policia”, tha Gashi.

Murat Mehmeti tregoi edhe se si njihet Zvonko Veselinoviqi për organet e sigurisë në veri.

“Unë të dy personat, Veselinoviqin dhe Radoiçiqin. I pari është i njohur për mua dhe Policinë, Veselinoviqi ka pasë urdhër-arrest nën dyshimin se ai është hajn i kerreve, po flas për vitin 2006. Qysh u forcu ai njeri dhe kush i ndihmoi? Veselinoviqi ka qenë pjesë e strukturave të ‘Rojeve të Urës’ formacion që e ka pasur edhe Oliver Ivanoviqi. Në këto struktura ka qenë Zvonku po nuk ka pasur strukturë të lartë. Millani ka lidhje kumbarie me Veselinoviqin, ky ka jetu jashtë Kosovës mas divorcit është kthyer në Kosovë. Zvonku ka pasur urdhër të arrestit, është arrestu në Prishtinë, mirëpo me kërkesë të Prokurorisë së Mitrovicës është ekstradu nga Prishtina në Mitrovicë dhe është liruar në Mitrovicë para vitit 2008 me ndihmën e Prokurorisë së Mitrovicës. Zvonku ka pasur fuqi me rreh polic para stacionit dhe nuk ka pasur rast të hapur”, tha Mehmeti.

Pas gjithë këtyre deklaratave të Mehmetit, reagoi gazetari Krstiq i cili tha se Zvonko Veselinoviq anipse i njohur për shumë veprime të jashtëligjshme prapë nuk ishte arrestuar.

“Ku është pozita e shtetit të Kosovës që një zyrtar shumë i lartë jeni tu fol që ekziston dikush që quhet boss i kriminelëve, ka rrahur me shuplakë nuk është arrestuar, ka gjuajtur me plumba në këmbë të profesorit dhe nuk është arrestuar. Më duket që jemi në një pozitë. Ne informojmë qytetarët palidhje sepse për gjykatat e Kosovës ata njerëz janë tani të pafajshëm”, tha Krstiq.