Gjykimi i të akuzuarve në rastin “Syri i Popullit” – Foto: KALLXO.com

Murat Jashari: Listën se kush duhet të vritet e kam shkruar vet

Në gjykimin e organizatës “Syri i Popullit”, njëri nga të akuzuarit kryesor, Murat Jashari deklaroi se vet e ka përpiluar listën se kush duhet të vritet.

“Listën se kush duhet mu vra e kam ba un, sikurse as kujt s`ja kam dhanë për me lexu. I kam shkru do letra, nja për Behxhet Luzhën, një për Ismet Bexhetin, një për “Ramadan Besnikun”. Kush e ka shkru komunikatën duhet ta tregoj vet Sylë hoxha. Në emër të syrit të popullit kan shkru që duhet me e zbulu prokurori se kush pi shkruan në emër të syrit të popullit këto letra”, tha Jashari.

Procesi gjyqësor i njohur si “Syri i Popullit”, është drejtë fundit. Në përfundim të këtij procesi gjyqësor, i akuzuari Halim Halimi deklaroi se akuza e rastit të “Syrit të Popullit” është bëre me qëllime politike.

“Nuk e lejoj kërkon me manipulu me mua, as shtetin as asnjë parti politike. Kjo është bërë me qëllim të caktuar vetëm me manipulu me Sadri Ramabajën dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Unë e votoj Vetëvendosjen veç që e don bashkimin kombëtar”, tha i akuzuari Halimi.

Në këtë çështje për vepra penale kundër rendit kushtetues po akuzohen Murat Jashari, Sadri Ramabaja, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha dhe Rexhep Topllana.

Të akuzuar kanë qenë edhe Lirije Luzha dhe Sabit Berisha, mirëpo ndaj tyre Prokurori ka hequr dorë nga ndjekja penale.

Pjesë e aktakuzë janë veprat penale duke filluar hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për rastin ‘Syri i Popullit” – LINK