Foto: Tomë Gashi/Facebook

Murale dhe poezi në kujtim të Astrit Deharit (FOTO)

Në një mur të një ndërtese në qendër të Prishtinës disa artistë kanë pikturuar figurën e Astrit Deharit, ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u gjet i vdekur në muajin nëntor të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Krah këtij murali janë shkruar edhe disa vargje kushtuar Astrit Dehari, si kërkim falje për çka i ka ndodhur atij brenda mureve të burgut.

Foto: Tomë Gashi/Facebook
Foto: Tomë Gashi/Facebook

Raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës i është dorëzuar para disa ditëve familjes së Astrit Deharit nga Prokuroria e Shtetit.

Prokuroria e Prizrenit ka thënë se nevojitet një hetim i ri për të qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Në ditën kur i dorëzoi raportin e ekspertizës familjarëve të ish-aktivistit të Vetëvendosjes, i cili u gjet i vdekur në dhomën e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Prokuroria tha se duhet të kihet parasysh edhe ndërhyrja e një personi të tretë në ‘procesin fatal’.

Në qelinë A3 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku ishte gjetur pa shenja jete anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte edhe një person me emrin Frrok Laski.

Sipas raportit të mjekësisë ligjore zvicerane, i publikuar sot nga familja Dehari dhe avokati i saj, Tomë Gashi, tregon edhe deklaratat e shokut të dhomës së Astrit Deharit.

Naser Makolli, ish- cimeri i Astrit Deharit, e kishte përshkruar Astritin si një njeri të qetë, të lumtur, që nuk paraqiste asnjë çrregullim, asnjë frikë apo shqetësim dhe se i njëjti asnjëherë nuk e kishte përmendur se do të mund t’i bëjë diçka vetes.

Edhe Makolli gjashtë muaj më pas ishte gjetur i vdekur në qeli në Burgun e Lipjanit ndërsa analizat e raportit të tij nuk u lexuan asnjëherë për shkak se i njëjti nuk kishte arritur që të bënte një analizë të fundit.

Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte njoftuar se Naser Makolli dëshmitari kyç dhe ai i cili e kishte gjetur i pari Astrit Deharin të shtrirë për toke, kishte vdekur si pasojë e një sëmundjeje shëndetësore.

Për çfarë po mbahej në burg Astrit Dehari?

Në minutat e parë të 5 gushtit të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës ishte sulmuar me një granatë anti-tank.

Policisë iu dashtë një muaj kohë që të identifikoj dhe arrestojë pesë persona, ku më pas u bë publike se të arrestuarit ishin aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Astrit Dehari, Adea Batusha, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti e Atdhe Arifi ishin pesë të dyshuarit për sulmin me anti-tank ndaj Kuvendit.

Për sulmin të dyshuarit po mbaheshin në paraburgim pas kërkesës së Prokurorisë.

Në lidhje me sulmin ndaj Kuvendit u ngrit edhe aktakuzë. Të dyshuarit po dyshoheshin se kanë kryer veprën penale të terrorizmit.

Marrëveshja e demarkacionit ka kaluar, një person ishte liruar nga dyshimi për kryerjen e sulmit, katër të tjerë u gjykuan, e Astrit Dehari asnjëherë nuk dëgjoi gjykimin e tij për çka edhe u arrestua dhe u dërgua në paraburgim për të dalë i pajetë nga ai.

Si vdiq Astrit Dehari?

Tre muaj pas sulmit të kuvendit, më 5 nëntor 2016, një lajm mori vëmendjen e të gjithëve, pasi në qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana të paqarta kishte vdekur një 26 vjeçar emri i të cilit u bë publik nga vetë partia të cilës i përkiste Astrit Dehari, Lëvizja Vetëvendosje.

Deklaratat e para pas vdekjes së Deharit ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Prindërit e Deharit së bashku me subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.

Raportin e plotë në gjuhën shqipe mund ta lexoni KËTU.

Raportin e plotë në gjuhën frënge mund ta lexoni KËTU.