Foto nga seanca e datës 12.09.2024 në Gjykatën e Prishtinës në rastin ndaj Skënder Fetajt dhe të tjerëve.
Munguan dy të akuzuar, dështon seanca për rastin e organizimit të lojërave të fatit dhe zbulimit të fshehtësisë zyrtare
Mungesa e të akuzuarve Skënder Fetaj dhe Arian Kastratit ka bërë që në Gjykatën e Prishtinës, më 12.09.2024, të dështoj seanca lidhur me rastin ku këta dy së bashku me Driton Haxhiun, Ramadan Latifin, Burim Ismailin, Fisnik Ibishin dhe Ramadan Ibishin akuzohen për organizim të lojërave të fatit dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.
Mungesën e Skënder Fetajt e konfirmoi në fillim të seancës kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj i cili potencoi se i pandehuri ka njoftuar Gjykatën përmes e-mail-it se nuk do të jetë prezentë për shkak se ndodhet në Afrikën e Jugut. Gjytari shtoi se i pandehuri ka kërkuar nga gjykata që të njoftohet për datën tjetër e cila do të caktohet.
Lidhur me mungesën e Arian Kastratit foli avokati Arianit Koci, i cili tha se klienti i tij ka munguar për shkak se ka qenë i njoftuar se Skender Fetaj do të mungojë.
“Kastrati ka më tepër se 10 vite që jeton në Gjermani dhe pjesëmarrja e tij në seanca po kushton 15000 – 2000 euro” – u shpreh avokati Koci.
Kryetari i trupit gjykues gjithashtu përmendi ndryshimin e trupit gjykues duke thënë se tashmë ka një përbërje të re për shkak se gjyqtari Musa Konxheli është pensionuar, kurse gjyqtarja Valbona Musliu -Selimaj është avansuar në Apel.
Përbërja e re e trupit gjykues është kjo: Valon Kurtaj – kryetar dhe Violeta Namani Hajra e Vesel Ismaili- anëtarë.
Në seancë ishin të pranishëm prokurorja e rastit Arbresha Shala dhe të gjithë të pandehurit e tjerë.
Në mënyrë që të sigurohet mbajtja e seancave, kryetari i trupit gjykues paralajmëroi se do të caktojë masa të sigurisë qoftë edhe vetëm për ditët e mbajtjes së seancave.
“Nëse ka nevojë e caktojë masën edhe për 3 ditë” – u shpreh gjyqtari Kurtaj.
Seancat e radhës u caktuan për datat 23 dhe 24 tetor 2024.
Kryetari i trupit gjykues bëri me dije se do të caktojë masë të sigurisë qoftë edhe për
Çka thotë aktakuza për këtë rast?
Skënder Fetaj, Arian Kastrati dhe Driton Haxhija, akuzohen se që nga shkurti i 2015 deri në dhjetor të vitit 2016 kanë organizuar ose marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit.
Ata akuzohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumën 253,680.00 euro.
Fetaj edhe pse kishte licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën e në menaxhimin e së cilës vepronin edhe Arian Kastrati e Driton Haxhija, sipas Prokurorisë me qëllim kanë organizuar lojëra të fatit në kundërshtim me Ligjin.
Aktakuza thotë se të akuzuarit duke siguruar numra serikë të dublifikuar-falsifikuar të ruletëve dhe të aparateve të automateve i kanë vendosur në pika të ndryshme, ku edhe kanë krijuar përfitime të kundërligjshme pasi kanë qenë pa licencë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Ramadan Ibishi deri sa ka qenë në orar të punës në cilësinë e inspektorit të lartë në ATK, ia ka përcjellë informatat zyrtare se kur do të kryhen kontrollet nga inspektorët e ATK-së, birit të tij, Fisnik Ibishit. Kështu, sipas Prokurorisë, i akuzuari Fisnik Ibishi i ka njoftuar menaxherët e bizneseve të lojërave të fatit për vendin e kontrolleve. Ai këtë e bënte duke përdorur fjalët – “jam në Qytetin e Gjakovës, jam në Qytetin e Gjilanit, etj. A ke kohë për kafe?”.Kështu, sipas Prokurorisë, i akuzuari i ka njoftuar se në cilat qytete ka dalë kontrolla.
Ndërsa Ramadan Latifin, Arian Kastratin, Driton Haxhijën dhe Burim Ismailin Prokuroria i akuzon se në fillim të vitit 2016 deri në dhjetor të vitit 2016 në vende të ndryshme në Kosovë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kanë organizuar lojëra të fatit të cilat janë të ndaluara me Ligjin për lojëra të fatit ashtu që në njësitë e bastores sportive “Planet Win 365”, pronë e Ramadan Latifit, pas koordinimit mes vete kanë blerë programin për lojëra “KENO” dhe “Lojëra me QEN” dhe përmes një personi të quajtur Hekuran, këto lojëra i kanë instaluar në kompjuterë të bastores në vende që ka më pak kontroll si në Drenas, Hajvali dhe në fshatra të rrethit të Pejës dhe Deçanit.
Të pandehurit po ashtu akuzohen se kanë zhvilluar aktivitete në bastoret sportive në pika të palicencuara nga ATK-ja, kanë mbajtur tavolina të pokerit të cilat janë të ndaluara në Kosovë.Me rastin e kontrollit janë gjetur gjashtëmbëdhjetë njësi të palicencuara ndërsa aktakuza thotë se me këtë rast buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm prej 93,400.00 euro.
Të pandehurit Ramadan Latifi, sipas aktakuzës, në shtëpinë e tij në Gjilan i janë gjetur një revole e markës “Herma Werk”, një armë gjuetie e markës “Winchester” dhe 435 copë fishekë të armës së gjuetisë dhe revoles.