Gjykimi i rastit "Stenta 1" FOTO-Era Hasani/KALLXO.com

Mungon prokurorja, dështon seanca për rastin ‘Stenta 1’

Sot ishte paraparë të mbahej seancë në rastin ku po akuzohen ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani.

Këta të akuzuar në rastin e njohur si “Stenta 1”  do të përballeshin me deklaratat e dëshmitarëve.

Seanca dështoi të mbahej në mungesë të prokurores së rastit Florie Shamolli, e cila sot kishte dy seanca  në të njëjtën kohë.

Në mungesë të kushteve ligjore, Gjykata e Prishtinës vendosi që të shtyjë këtë shqyrtim gjyqësor.

Ferid Agani dhe Gani Shabani akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë,  duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Prokuroria pretendon se ata i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.