Mungon një avokat, ndërpritet seanca ndaj Azem Sylës

Seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Toka” është ndërprerë sot/

Ish- Deputeti i PDK-së, Azem Syla  dhe 21 të akuzuar të tjerë ngarkohen me veprat penale të krimit të organizuar në tjetërsimin e tokave në pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë afër Prishtinës.

Shkak për ndërprerjen e kësaj seance ishte mungesa e mbrojtësit të akuzuarit Shaban Syla, avokati Agron Curri.

Pasi që për veprat penale me të cilat ngarkohen te akuzuarit prezenca e avokatit është e obligueshme gjyatësi Beqir Kalludra ndërpreu seancën deri sa të sigurojë avokat për të akuzuarin Shaban Syla.

Në këtë seancë munguan edhe dëshmitaret Idriz Kadriu për të cilin gjykata nuk ka të dhëna për vendbanimin e tij, ndërsa për dëshmitarin Enver Qoqaj gjykata nuk ka dëshmi se është  ftuar në mënyrë të rregullt.

Gjykatësi Beqir Kalludra nuk përcaktoi se sa duhet të presin për të vazhduar seanca e sotme por udhëzoi që të gjithë të qëndrojnë në sallë.

Prokuroria Speciale me 25 tetor ngriti dy aktakuza ndaj 39 personave të ndryshëm në mesin e të cilëve është edhe ish deputeti Azem Syla.

Aktakuza e parë, është parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-ës, kundër 22 të pandehurve dhe përmbahet prej 46 pikave.

Të akuzuarit, ngarkohen me veprat penale krim të organizuar, pastrim të parave, marrja e mitës, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.