Pamje nga mbledhja e KMFP-së. Foto: KALLXO.com.

Mungon kryetari i Ferizajt, shtyhet diskutimi i gjetjeve të Auditorit për projektin Bashkimi i qytetit'

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike nuk e ka shqyrtuar raportin e auditimit të performancës, “Menaxhimi i projektit të Bashkimit i qytetit të Ferizajt”, pasi në këtë takim mungoi kryetari i kësaj komunës, Agim Aliu.

Në vend të kryetarit të Komunës së Ferizajt i pranishëm ishte nënkryetari i komunës Lulzim Aliu.

Mos prezenca e kryetarit Aliu dhe kundërshtimet ndaj raportit të auditimit për këtë projekt të nënkryetarit, shkaktuan përplasje mes tij dhe deputetëve.

Nënkryetari komunës së Ferizajit, Lulzim Aliu tha se kryetari për arsye të një angazhimi tjetër nuk ka mundur të jetë prezent dhe është shprehur i gatshëm t’i përgjigjet deputetëve.

“Jemi të gatshëm me u përgjigj në gjetjet e auditorit, pretendimet e auditorit se a ka qenë i qëllimshëm apo i pa qëllimshëm dhe pse u zgjodh vetëm ky projekt më i madhi, më funksionali, dhe në gjetjet e auditorit ka shkrime të pavërteta, ka rekomandime të paligjshme dhe se për këtë do të merret edhe prokuroria”- tha ai.

Por, Yllza Hoti nga LVV kërkoi që shqyrtimi i raportit të shtyhet për një takim tjetër ku do të mund të raporton kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

“Auditori ka gjetur shumë parregullsi për projektin që është dashur të diskutohet, inagurimi i tij ëshstë bërë pa pranim teknik, marrjen e pëlqimeve, e shumë tjera, përveç faktit që e ka konfirmu pjesëmarrjen duke ikur nga përgjegjësia, mendoj se duhet të shtyhett raportimi në një takim tjetër ku mund të jetë prezent kryetari i komunës”- tha ajo.

Për mos vazhdim të raportimit për këtë projekt ishe edhe deputetja Mirlinda Tishukaj e cila tha që përgjegjësia për këtë i takon Agim Aliut.

“Kur është pre shiriti ka dal Agim Aliu ne i kemi dhënë kohën dhe hapësirën 5.8 milionë euro që janë dhënë në atë projekt mjafton të vjen dhe të thotë që nuk ka pasur pranim teknik”- tha ajo.

Por, deputetët e PDK-së, Hajdar Beqa e Rashit Qalaj ishin që Komisioni të pranojë raportimin e nënkryetari Aliu dhe të vazhdojë shqyrtimi në këtë komision.

“Kryetari i komunës ka pasur një agjendë, me ligj të Kosovës në momentin që kryetari është jashtë vendit kompetencat i kalojnë nënkryetarit, unë mendoj që të bëjmë përjashtim për ta bërë këtë shqyrtim dhe ta mbyllim këtu”- tha Beqa.

Komisioni votoi që kjo mbledhje të shtyhet për një takim tjetër kur kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu të jetë i pranishëm.

Pamje nga mbledhja e KMFP-së. Foto: KALLXO.com.

 

Pamje nga mbledhja e KMFP-së. Foto: KALLXO.com.