Mungon dëshmitarja, dështon gjykimi i të akuzuarve për vrasjen e kushëririt

Gjashtë të akuzuar për vrasje dhe respektivisht për lëndim trupor janë sjellë sot në Gjykatën e Gjilanit nën masa të rrepta sigurie.

Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli, dhe Izri Ismajli po akuzohen për vrasjen e Muhamet Ismajlit në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, ndërsa Ermond Ismajli, po akuzohet  për lëndim të lehtë trupor.

Shkak për dështimin e seances se sotme ishte mungesa e të dëmtuarës (dëshmitares), Kimete Ismajli, e cila ishte shtruar në spital.

“Përfaqësuesi i të dëmtuarve e ka lajmëruar Gjykatën se e mbrojtura e tij është shtruar në spital për shkak të komplikimeve shëndetësore, andaj nuk ka kushte për mbajtjen e seances së sotme”, tha Gjykatësi Zyhdi Haziri.

Të akuzuarit sikurse në seancat e tjera edhe në seancën e sotme u sollën nën masa të rrepta të sigurisë për shkak të marrëdhënieve të acaruara në mes familjeve dhe për shkak të masave mbrojtëse ndaj sëmundjes COVID-19.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, në muajin maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, Komuna e Vitisë kanë vrarë Muhamet Ismajlin, pasi ka eskaluar situata dhe nuk kanë mundur të merren vesh mes vete, të akuzuarit me mjete të forta mprehëse, si drunj dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen, si pasojë e thyerjes së kockave të kafkës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë i akuzuari Ermond Ismajli të njëjtën ditë dhe të njëjtin vend dhe për të njëjtat arsye (për shkak të një prone kontestuese), ju ka shkaktuar lëndime trupore Ismet Ismajlit dhe Fisnik Ismajlit duke i goditur me lopatë, në pjesë të ndryshme të trupit.

Seanca qe është dashur të mbahet sot, u shty për datën 16 korrik.

Dalin para gjyqit të akuzuarit për vrasjen e kushëririt të tyre