Ilustrim

Mungon anëtarja e trupit gjykues, anulohet seanca ndaj këshilltarit komunal Ilir Baldedaj

Gjykata e Prizrenit ka dështuar të vazhdojë sot procesin gjyqësor ndaj këshilltarit Ilir Baldedaj, për shkak të mungesës në seancë të Arjeta Gashi anëtare e trupit gjykues.

Baldedaj, po akuzohet se gjatë vitit 2017, duke qenë drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit ka paraqitur kërkesë për shpallje të tenderit për dy projekte të cilat me pas nuk i ka realizuar.

Për KALLXO.com nga zyra e kryetares së trupit gjykues Ajser Skenderi, u bë e ditur se anëtarja e trupit gjykues, ka munguar për shkaqe shëndetësore.

Seancat e radhës ndaj Ilir Baldedës do të caktohen sipas orarit të gjykatës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ilir Baldedaj, akuzohet se prej muajit mars e deri në fund të vitit 2016, në Prizren, duke vepruar në cilësi të drejtorit të Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, duke mos respektuar procedurat ligjore, paraqet kërkesë për shpallje të tenderit për projektin “Furnizimin me Software digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit”, edhe pse ky projekt nuk ka qenë i planifikuar me buxhetin e vitit 2016, i cili nuk është funksionalizuar, me ç ‘rast i ka shkaktuar Komunës së Prizrenit dëm në vlerë prej rreth 28 mijë eurove.

Sipas pikës së dytë të aktakuzës, i njëjti gjatë vitit 2017, si  drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, pa respektuar procedurat e parapara ligjore dhe pa kërkuar leje nga organet kompetente qendrore, paraqet kërkesë për shpalljen e tenderit për projektin “Arkiva Elektronike”, i cili projekt nuk është funksionalizuar, me ç ‘rast i ka shkaktuar Komunës së Prizrenit dëm në shumën e përgjithshme rreth 100 mijë eurove.

Aktualisht, Baldedaj është asamblist në Komunën e Prizrenit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, mandat i cili do t’i përfundoj në tetor të vitit 2021.

Me 10 shtator të këtij viti, asamblisti i AAK-së është dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 500 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë.

Ndaj tij në të kaluarën rëndonin edhe akuza të tjera për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ilir Baldedaj ishte akuzuar se ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale dhe për këto akuzua me 25 maj 2018, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse brenda afatit prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Po ashtu, pas një hulumtimi të KALLXO.com më 22 gusht 2019, Prokuroria në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj Ilir Baldedës nën akuzat rreth moskthimit të lap topëve të Komunës, në kohën e qeverisjes së Ramadan Mujës.

Për këto pretendime, me 1 janar 2021, ai u dënua me burgim efektiv prej 10 muajve si dhe dënim plotësues, dhe gjykata i shqiptoi ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën ose në shërbimin publik në afat prej 3 viteve.

Mirëpo, Apeli në prill të këtij viti, lëndën e ka kthyer në rigjykim ku edhe është duke u zhvilluar.

Gjykata e dënon përsëri asamblistin e AAK-së, kësaj radhe për mosdeklarim të pasurisë