Mungojnë të akuzuarit dhe mbrojtësit, shtyhet gjykimi për kontrabandë të 80 mijë kilogramëve duhan

Në mungesë të të akuzuarve dhe mbrojtësve, sot ka dështuar që të mbahet seanca në rastin e 80 mijë kilogramëve duhan të kontrabanduar.

Miljan Vidosavljevic, Vullnet Syla, Valdet Syla, Mevlan Arifaj, Lulzim Rexhaj dhe avokatët Shyqri Syla, Elvia Heta-Vata, Fazli Brahaj, Asdren Saramati, Labinot Vata dhe përfaqësuesi i të dëmtuarës, Dogana e Kosovës nuk qenë të pranishëm në seancë.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka bërë të ditur se Gjykata nuk ka prova se të njëjtit kanë pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.

Në mungesë të kushteve ligjore, gjykimi i sotëm është shtyrë për më 20 dhe 24 janar 2023.

Hetimet për kontrabandim me cigare kanë filluar që nga viti 2018 dhe si të dyshimtë kanë qenë 47 persona, prej të cilëve 9 zyrtarë të Doganës së Kosovës.

Prokuroria e Prizrenit me 17 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë zyrtarëve doganorë nën pretendimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Ilir Bobi, Dritëro Zeka, Dritan Hasimja, Miljan Vidosavljeviç, Hekuran Dana, Jeton Berisha, Besart Malaj, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija, akuzohen se nga viti 2018 – 2019 në pikë-kalimin kufitar në Vërmicë, në bashkëkryerje, si zyrtarë doganor për 64 herë ua kanë siguruar të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, kalim të automjeteve të ngarkuar me duhan të grirë -refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, 1.3 milion filtra për cigare “Grande”, 400 mijë filtra për cigare “Gentleman”, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “West”, të gjitha nga Shqipëria në Kosovë.

Sipas Prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve të pandehurit e lartcekur ngarkohen se i kanë shkaktuar rreth 3 milionë euro dëm material buxhetit të Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së Doganës dhe TVSh-së së papaguar.

Organi i akuzës po ashtu thotë se Driton Kurshumlija dhe Driton Hasimja gjatë muajit shkurt – mars 2019, në cilësi të personave zyrtarë, në pikën kufitare në Vërmicë-Prizren, kërkojnë përfitime për vete për të vepruar në pajtim me detyrat e tyre.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kurshumlija më 7 shkurt 2019 kërkoi nga i dëmtuari S. J., shumën prej 100 eurove për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se zhdoganimi më lirë është nëse i dëmtuari i paguan 100 euro. Kurse më 31 mars 2019, nga i dëmtuari M. R., kërkoi shumën prej 70 eurove për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se aq kishte kushtuar zhdoganimi.

Ndërsa i akuzuari Hasimja me 3 shkurt 2019, kërkoi para nga i dëmtuari S. K., për kryerjen e zhdoganimit, duke ditur se mallrat që importon KFOR-i, janë të liruara nga dogana. Ndërsa me 8 shkurt 2019, i pandehuri mori shumën prej 100 euro nga i dëmtuari S. M., për të zhdoganuar vetëm një pjesë të mallit.

Me këto veprime sipas prokurorisë të akuzuarit, Driton Kurshumlija dhe Driton Hasimja, kanë kryer veprën penale marrje e ryshfetit.

Kurse, Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha po akuzohen se nga viti 2018-2019, në pikë-kalimin kufitar të Vërmicës, në bashkëkryerje, nga Shqipëria për në Kosovë, pa leje përkatëse shmangën kontrollin doganor dhe kaluan vijën kufitare duke bartur mallrat e lartcekura pa leje të posaçme nga organi kompetent.

Me anë të këtyre veprimeve katër të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprat penale, kontrabandimi i mallrave, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe tregtia e ndaluar duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej rreth 3 milion euro.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.