Mungojnë dëshmitarët, shtyhet gjykimi ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit të Komunës së Prizrenit

 

Ish-drejtori i Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, i cili akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, është ulur sërish sot, më 08.11.2024, në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit për rigjykim.

Në seancën e datës 31.07.2024, i pandehuri Kryeziu lidhur me veprën penale që i vihet në barrë kishte thënë se ndihet “plotësisht i pafajshëm”.

Në seancën e sotme ishte paraparë që të dëgjoheshin dëshmitarët, siç janë: Bashkim Lubovci, Ilir Baldedaj, Shpresa Vula, Shukran Zogaj, si dhe zyrtarja Afërdita Morina.

Por, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi konstatoi mos prezencën e dëshmitarëve.

Gjyqtarja Elezi, deklaroi se mbrojtësi i të akuzuarit Nijazi Kryeziu, avokati Kujtim Kërveshi, kishte për detyrë që në afat prej 7 ditësh me parashtesë të njoftoj gjykatën për adresat e dëshmitarëve të propozuar. Për shkak se ky obligim nuk u përmbush nga avokati, dëshmitarët e përmendur nuk ishin ftuar për seancën e sotme.

Në lidhje me këtë, u deklarua avokati Kujtim Kërveshi, i cili tha se kishte pasur komunikim me dëshmitarët të përmendur. Ai shtoi se kishte pas informacion se dëshmitarët do të paraqiteshin, dhe në pamundësi për të arsyetuar mungesën e tyre tek punëdhënësit, nuk u paraqitën në seancën e sotme.

Në anën tjetër deklaroi edhe prokurori i shtetit Mehdi Sefa, i cili tha se nëse mbrojtja akoma qëndron te propozimi për dëgjimin e dëshmitarëve atëherë Prokuroria konsideron se vazhdimi i seancës nuk kishte kushte, por në qoftë se tërhiqet nga propozimi i tillë atëherë mund të vazhdohet me plotësimin e provave dhe dëgjimin e të pandehurit.

Ndërsa, avokati Kërveshi tha se qëndron prapa propozimit të dëshmitarëve Ilir Baldedaj dhe Bashkim Lubovci, dhe heq dorë nga dëgjimi i tre dëshmitarëve të tjerë.

Lidhur me këtë, gjyqtarja Elezi mori vendim që seanca e sotme nuk do të mbahet. Seanca e radhës u caktua që të mbahet më datë 25.11.2024.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e ish-drejtorit të Urbanizimit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, i cili ishte shpallur i pafajshëm për lidhjen e kontratave pa tender me disa televizione lokale.

Aktakuza e datës 02.09.2019 të akuzuarin Nijazi Kryeziu e ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Nijazi Kryeziu akuzohet për periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015, kur ishte drejtor i Urbanizmit në Prizren nën udhëheqjen e ish-kryetarit Ramadan Muja.

Dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate vlerësohet të jetë në total 1,200 euro. Dëmi i shkaktuar u precizua në seancën e datës 05.12.2019.