Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Mungojnë deputetët, shtyhet rezoluta e PDK-së për shkarkimin e ministres Hajdari

Për shkak të numrit të ulët të deputetëve të pranishëm në sallë, Kuvendi i Kosovës i ka mbyllur punimet e sotme.

Për të njëjtën arsye nuk u hodh në votim as rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) përmes së cilës, ndër të tjera kërkohet shkarkimi i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se në sallë janë vetëm 50 deputetë.

“50 deputetë janë në seancë duke marrë pjesë, kështu që shihemi një ditë tjetër kur të ju lajmëroj”- ka thënë ai.

PDK përmes rezolutës e cila u prezantua nga deputeti Ferat Shala, kërkon nga Kuvendi dhe kryeministri Abin Kurti që në afat prej 15 ditësh nga miratimi i rezolutës, ministrja të shkarkohet.

“Duke u mbështetur  përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit të Kosovës për të mbikëqyrur punën e Qeverisë , duke parë me shqetësim paaftësinë dhe dështimin e ministres Rozeta Hajdari për udhëheqjen dhe menaxhimin efikas të ministrisë, Kuvendit i kërkojmë dhe kryeministrit që në afat prej 15 ditësh nga miratimi i rezolutës, të marr vendim për shkarkim të ministres, Rozeta Hajdari”- ka deklaruar Shala.

Pas kësaj rezolute, Kuvendi i Kosovës në rend të ditës ka pasë për trajtim dhjetëra pika tjera të papërfundura nga seancat e kaluara.

Për shkak të pjesëmarrjes së ulët të deputetëve në procesin e votimit, Kuvendi i Kosovës dje vendosi që ta shtyjë për sot (e enjte), emërimin e një anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave, të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Por, për shkak të mungesës së kuorumit as sot nuk u emërua anëtari i Bordit të Ankesave të Mediave.

Në garë për pozitën e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave janë Granit Mavriqi dhe Martin Komani.

Bordi i Ankesave për Media që nga 15 marsi i vitit 2021, ka mbetur jofunksional, pasi mungon njërin nga tre anëtarët.

Mungesa e ligjvënësve nëpër seanca ka pamundësuar disa herë votimin e pikave të papërfunduara ndonëse për to Kuvendi është mbledhur disa herë gjatë këtij sesioni.