Kuvendi i Kosovës. 12.09.2024
Mungojnë deputetët, Kuvendi mbyll punimet
Seanca e parë e sesionit vjeshtor të Kuvendit, ka përfunduar punimet për shkak të mungesës së deputetëve të enjten, më 12.09.2024.
Pas përzgjedhjes së një anëtari të Bordit të RTK-së, deputetët shkuan në pauzë një-orëshe.
Por pas pauzës, pjesëmarrja e ulët e tyre pamundësoi shqyrtimin e pikave të mbetura të rendit të ditës.
Ndërsa, për dallim nga herët e tjera, të enjten pjesëmarrja e deputetëve është evidentuar përmes votimit elektronik meqë janë funksionalizuar pajisjet e reja.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nisi seancën duke i rekomanduar deputetëve që mos t’i ndërrojnë vendet për shkak të instalimit të këtyre pajisjeve.
Më pas ai kritikoi deputetë për mungesat në seancë.
“Kam menduar mezi e kanë prit ketë sesionin, por paska diçka jashtë më interesant po më duket, po ma merr mendja”- u shpreh ai.
Kuvendi i Kosovës ka nisur sesionin vjeshtor me pajisje të reja teknologjike më 12.09.2024. Pas shumë kohësh, deputetët kanë votuar në mënyrë elektronike për pjesëmarrje në seancë.
Për tri vjet, sistemi elektronik në parlament ka qenë jashtë funksionit, prandaj deputetët kanë votuar me dorë.
Për shkak të kësaj, Kuvendi i Kosovës nuk i ka të arkivuara votat e deputetëve dhe disa herë ka pasur diskutime rreth numrit të votave.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), më 10.09.2024, ka shpalosur raportin vlerësues për punën e Kuvendit të Kosovës në sesionin pranveror janar-korrik 2024, gjatë të cilit janë zhvilluar 29 seanca.
Sipas raportit, vetëm në këtë sesion deputetët munguan 525 herë, apo mesatarisht për çdo seancë munguan 24,3% e deputetëve.