Mungoi Konjufca, dështon seanca për lotsjellësin në Kuvend më 2015

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2015.

Dështimi i seancës në Gjykatën e Prishtinës më 19.11.2024, ndodhi pasi mungoi i akuzuari, kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Për dallim nga Konjufca, prezentë në gjykatë ishin të akuzuarit e tjerë, ish-deputetë dhe deputetë aktualë, Pal Lekaj, Aida Dërguti, Besa Baftija, Time Kadriaj dhe Teuta Haxhiu.

Avokatja e Glauk Konjufcës, Arbnora Zeqiri tha se klienti i saj ndodhet jashtë vendit në vizitë zyrtare.

“Kemi të bëjmë më një aktakuzë të vitit 2016 ku klienti im ka qenë deputet dhe sot e mban postin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, andaj kërkesa e shtyrjes së kësaj seanca ka qenë për shkak se ai ka edhe përgjegjësi institucionale”- shtoi tutje avokatja.


Zeqiri kërkoi nga gjykata që të mos të caktohen seancat atë ditë që mbahen edhe seancat e Kuvendit.

Për këtë, gjyqtari Adnan Kamberi tha se gjykata e ka agjendën e saj të punës.

“Gjykata nuk i përshtatet punës së asnjë institucioni, gjykata e ka agjendën e vet dhe punën e vet” – tha gjyqtari.

Ndërsa avokati Musa Damati, i cili mbron të akuzuarin Pal Lekaj tha se i mbrojturi i tij “përkundër angazhimeve” ndodhej në seancë.

“Duke pasur parasysh rrethanat të cilat u konstatuan sot theksoi se klienti im përkundër agjendës dhe obligimeve të cilat i bart ka shfaq respekt duke qenë prezent, i pranishëm në këtë seancë po ashtu edhe kolegët e tij andaj kërkojmë nga ana e gjykatës që përmes mbrojtëses se kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca të kërkohet një vëmendje e seriozitet më i shtuar që përkundër agjendave zyrtare  të respektohen thirrjet e gjykatës”- tha avokati.

I akuzuari Pal Lekaj në gjykatë, 19.11.2024 – Foto: KALLXO.com

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale pritet të mbahet më 27.11.2024.

Ky rast po trajtohet në Gjykatën e Prishtinës në Departamentin e Përgjithshëm me gjyqtar Adnan Kamberi.

Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Kastriot Berisha.

Për çka akuzohen deputetët dhe ish-deputetët?

Glauk Konjufca, Pal Lekaj, Besa Baftija dhe Aida Dërguti nga Prokuroria e Prishtinës akuzohen për përdorim të armës pasi sipas aktakuzës të njëjtit kanë përdorur armë në kundërshtim me ligjin më 14.12.2015 në orën 10:00 pas hapjes së mbledhjes në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, secili veç e veç: Konjufca, Lekaj, Baftija.

Ndërsa në orën 11;00 sipas dispozitivit të parë, Aida Dërguti në sallën e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, paraprakisht i kanë aktivizuar me dorë armët për shpërndarjen e gazit irritues.

Me veprimet si në dispozitivin një të aktakuzës, të akuzuarit në dispozitivin dy ngarkohen se kanë penguar punën e personave zyrtarë – deputetëve të Kosovës.

Ndërsa në dispozitivin tjetër, vetëm Teuta Haxhiu dhe Time Kadriaj akuzohen për armëmbajtje pa leje – armë për shpërndarje të gazit, më 15.12.2015.

Dy të akuzuarat sipas prokurorisë kanë siguruar armët që përdoren për shpërndarje të gazit irritues ku me të hapur mbledhjen në sallë nga kryetari i Kuvendit, Haxhiu pasi ka mbajte në posedim gazin lotsjellës, ia ka dhënë mjetin Time Kadrijajt e cila pastaj ja ka dorëzuar deputetit Pal Lekaj.