
Mungesë kuorumi, dështon votimi i Projektligjit për arsimin e lartë
Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet e seancës së sotme pas përfundimit të diskutimeve për Projektligjin për arsimin e lartë.
Për votimin e këtij Projektligji Kuvendi sot nuk ka arritur të mbledhë numrat e mjaftueshëm.
Projekligjin para deputetëve e ka prezantuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ajo ka thënë se nisma për këtë ligj daton nga marsi i vitit 2015, ndërsa deri më 2018 janë hartuar versione që për arsye të ndryshme nuk janë miratuar.
“Disa nga risitë që sjell ky Projektligj janë se insitucionet publike dhe publiko-private mund të themelohen me iniciativë të Ministrisë dhe propozim të Qeverisë që miratohet nga Kuvendi apo me ligj të veçantë” – ka thënë ajo.
Ajo tha se Ligji përcakton obligimet e strukturave qeverisëse të institucioneve publike të arsimit të lartë duke filluar nga organet kryesore që janë senati, këshillin drejtues dhe rektori.
“Asnjë anëtar i personelit akademik nuk mund të punësohet nga institucionet pa njohjet e kualifikimeve paraprake apo barasvlerësimit formal të diplomave dhe gradave të fituara jashtë Kosovës”- ka thënë tutje Nagavci.
Përveç kuorumit, për miratimin e këtij Projektligji duhen edhe votat e shumicës së deputetëve pakicë.