Mungesë e testeve për COVID-19 në Pejë, ankohen qytetarët

Qendrat e Mjekësisë Familjare në Pejë ka pesë ditë që nuk mund t’i testojnë qytetarët për COVID-19. 

Kjo për shkak se që nga data 15 gusht kanë mbetur pa teste dhe nuk janë furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë. 

Pas ankesave që KALLXO.com i ka pranuar nga qytetarët pejanë, kjo është konfirmuar edhe nga drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Petrit Loci. 

Loci ka thënë për KALLXO.com se kërkesën e kanë bërë me datën 15 gusht, ndërsa pritet që sot të fillojë furnizimi. 

“Kam biseduar me Ministrinë e Shëndetësisë, më kanë thënë se prej sot do të na furnizojnë. Sipas tyre nuk ka mungesë të testeve por ka mbetur vetëm për shkak të alokimit nëpër komuna. Po presim që sot të rifillojmë me testimin e qytetarëve me teste rapide” – tha Loci. 

Në Pejë, testimet për COVID-19 kryhen në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare.