Mungesë e teksteve shkollore 2 muaj e gjysmë pas fillimit të mësimit në Ferizaj

Në muajin e tretë të procesit mësimor në Komunën e Ferizajt, shkollat fillore po vazhdojnë të përballen me mungesë të teksteve shkollore.

Procesi i shpërndarjes së teksteve ka filluar me 2 shtator të këtij viti, kurse nxënësit nuk janë të pajisur me të gjitha librat e nevojshëm.

KALLXO.com ka vizituar disa nga shkollat fillore në Ferizaj dhe ka biseduar me prindër, mësimdhënës si dhe me drejtorë të shkollave.

Shkollat fillore “Jeronim De Rada”, “Gjon Sereqi” dhe “Tefik Canga” kanë konfirmuar mungesën e teksteve dhe kanë thënë se lista me librat e nevojshme është dërguar në Drejtorinë e Arsimit.

‘’Mungesë e theksuar është te klasët e gjashta Gjeografi dhe klasët e dyta Matematika, por mungesë ka edhe te të tjerat”, tha Nazmi Heda, drejtor i Shkollës Fillore “Gjon Sereqi”, më e madhja në Ferizaj.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani, ka thënë se kanë dërguar me kohë kërkesën në MAShT për furnizim me tekste shkollore.

Por ende nuk dihet kur do të pajisen nxënësit me të gjitha librat për vitin shkollor 2019/20.

“Po presim përgjigje prej ministrisë po sipas informacioneve që kemi ata nuk do të përgjigjen më”, tha Llabjani.

Prindërit e fëmijëve të cilët kanë mungesë të librave nuk dinë nëse duhet të blejnë librat ose të presin deri sa ata t’i marrin ashtu siç janë njoftuar.

Një grua nga Ferizaj, e cila ka dashur të mbetet anonim, tha për KALLXO.com vajza e saj e cila ndjek mësimet në njërën nga shkollat në klasën e gjashtë ka mungesë të librave të Gjuhës Angleze, Gjeografisë dhe Edukatës Qytetare.

Në mungesë të librave mësimdhënësit po përdorin fotokopje ose po i detyrojnë nxënësit të mësojnë në grupe prej dy e më shumë personave.

‘’Një pjesë  e mësimdhënësve janë duke u gjindur me fotokopje që nuk janë adekuate, një pjesë e prindërve nxënësve po i blejnë. Unë vet personalisht i kam ble”, u shpreh drejtori Llabjani.

Ai thotë se kërkesa për furnizim me libra është bërë qysh në muajt prill- maj të këtij viti nga drejtorët e shkollave pastaj kjo kërkesë është dërguar në Ministri të Arsimit dhe sipas kërkesave MAShT-i ka bërë furnizimin e shkollave me tekste shkollore.

Në fillimi të procesit të shpërndarjes së teksteve Drejtori i Arsimit në Ferizaj kishte thënë për KALLXO.com se tekstet janë siguruar ashtu siç ishte planifikuar.

“Të gjitha shkollat në komunën tonë janë furnizuar me tekste shkollore. Tekstet janë sjellë me kohë, janë siguruar ashtu siç e kemi planifikuar dhe të gjitha janë shpërndarë nëpër shkolla në kohën e duhur”, ka thënë Llabjani.